Jahjaga: Kosova dhe Shqipëria, progres të konsiderueshëm


E premte, 13 Shtator 2013

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga tha se Kosova dhe Shqipëria kanë bërë progres të konsiderueshëm dhe kanë të gjitha mundësitë për të vënë në pah vlerat më të mira, duke pasur mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve dhe BE-së.

Ajo këto komente i bëri pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Jahjaga theksoi se është detyrë e liderëve të vendit të ofrojnë platforma politike dhe programe të zhvillimit, që synojnë përparimin e vendit, të cilat gjejnë përkrahjen e popullit ndaj vizionit dhe zbatimit të tyre.

Presidentja Jahjaga shprehu rëndësinë e projekteve të përbashkëta në shfrytëzimin e resurseve natyrore të të dyja vendeve dhe në plan rajonal, duke theksuar se “zotërojmë një potencial të rëndësishëm, rininë, nevojën e jetësimit të ëndrrave të tyre dhe rëndësinë e përfshirjes së tyre konkrete në zhvillimin e dy vendeve tona”.

Jahjaga vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe tha se Kosova mund të mësojë nga reformat që Shqipëria tashmë ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve të nevojshme për anëtarësim.

Ajo vlerësoi angazhimin e Ramës për ndërtimin e urave dhe bashkëpunimit si kontribut në të mirë të ardhmes tonë dhe të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Të fundit