E martë, 12 Janar 2016
Prishtinë – Presidentja Jahjaga bëri të ditur se, sot do të vizitojë Klinën, Istogun, Pejën, Deçanin dhe Junikun, së bashku me përfaqësuesit e tri odave ekonomike.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, së bashku me udhëheqësit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës dhe Odës Ekonomike Gjermane të Kosovës, në prag të vizitave që do t’iu bëjnë sot disa komunave në vend, kanë mbajtur konferencë shtypi, ku kanë theksuar se këto takime kanë për qëllim të përkrahin zhvillimin ekonomik lokal dhe të nxisin dialogun e nevojshëm për punësimin dhe investimet e huaja në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidentja Jahjaga bëri të ditur se, sot do të vizitojë Klinën, Istogun, Pejën, Deçanin dhe Junikun, së bashku me përfaqësuesit e tri odave ekonomike, me qëllim që të diskutojë me bizneset, në mënyrë të drejtpërdrejt, rreth heqjes së pengesave administrative, sundimit më të fortë të ligjit dhe konkurrencës së barabartë, që sipas saj do të ndikojnë në krijimin e një klime më të favorshme për investime dhe të bërit biznes.
“Vizita ime së bashku me odat ekonomike ka për qëllim adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë, në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në Kosovë” tha presidentja Jahjaga duke shtuar se, gjatë tërë mandatit të saj ka adresuar zhvillimin ekonomik si prioritet
Sipas saj, komunikimi i drejtpërdrejtë me investitorë të huaj dhe inicimi i partneriteteve strategjike në nivelin komunal, me ndihmën e institucioneve dhe odave ekonomike, është urgjencë dhe kjo është detyra e saj kryesore, në ditët e fundit të mandatit të saj
“Unë jam e përkushtuar të kontribuoj deri në ditën e fundit të mandatit tim për të krijuar një ambient të favorshëm për investime. Pikënisja është Rrafshi i Dukagjinit dhe unë besoj dhe shpresoj që deri në fund të muajit do t’i përmbyllim me vizita shumicën e komunave të Kosovës” tha Jahjaga.
Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës shprehu kënaqësinë e tij që institucioni të cilin po e udhëheq ai, vitin e ri po e fillon me një aktivitet të mbështetur nga Presidentja e Kosovës e cila si prioritet ka vendosur zhvillimin ekonomik në nivel lokal.
“Është një aktivitet që e promovon një impakt të mirëfilltë publiko privat, është një motivim për sektorin privat dhe është një dëshmi se në Kosovë prioritet i prioriteteve duhet të jetë zhvillimi ekonomik, dhe në qoftë se ky prioritet ka mbështetjen nga e para e Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga, atëherë vërtet për ne si përfaqësues të biznesit është një lehtësi, motivim dhe një dëshmi që Kosova ka ardhmëri dhe zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet” tha Gërxhaliu duke e falënderuar presidenten Jahjaga për mbështetjen e dhënë.
Një nga partnerët e këtij aktiviteti, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka u shpreh se qëllimi i bashkëpunimit të tri Odave është që të identifikojnë problemet e ndryshme me të cilat përballen bizneset nëpër komunat e ndryshme të Kosovës.
Etiketa: Atifete Jahjaga, Kosovë