Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Jahjaga pranon 22 milionë euro për Klinikën Pedriatike-Kirurgjike nga Abu Dhabi

Prizren Post | 11:53 - 27.04.2015

Abu Dhabi – Në ceremoninë e nënshkrimit të pranishëm ishin edhe Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani dhe Drejtoresha e Autoritetit Shëndetësor të Abu Dhabit, Maha Taysir Barakat.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe përfaqësuesi i Shkëlqesisë së Saj, Sheikës Fatima bint Mubarak, të Emirateve të Bashkuara Arabe, Shkëlqesia e Tij, Saeed Eid Al Ghafli, nënshkruan sot në Abu Dhabi marrëveshjen për një donacion prej mbi 22 milionë euro për ndërtimin e një Spitali të ri Pedriatik-Kirurgjik në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në ceremoninë e nënshkrimit të pranishëm ishin edhe Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani dhe Drejtoresha e Autoritetit Shëndetësor të Abu Dhabit, Shkëlqesia e Saj, Maha Taysir Barakat.

Presidentja Jahjaga theksoi se ky spital tejet i nevojshëm për shëndetin e fëmijëve në Kosovë do të na ndihmojë që të përmirësojmë përkujdesjen për fëmijët e Kosovës. Presidentja falënderoi në emër të popullit të Kosovës Lartmadhërinë e Saj për këtë ndihmë zemërgjerë për fëmijët e Kosovës duke u zotuar që kjo klinikë do ta mbajë me krenari emrin e saj.

Klinika e re do të fillojë të ndërtohet gjatë verës së këtij viti dhe pritet që projekti i tërësishëm i spitalit të përfundojë brenda 1 viti. Projekti përfshin specializime në shërbime shëndetësore të porsalindurve, ortopedi, neurologji, urologji, endokrinologji, kardiologji, onkologji, hematologji, dhe mjekësi emergjente.

Presidentja Jahjaga po qëndron për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë ditës së djeshme, Presidentja arriti marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe EBA, që shënon një faqe të re dhe shumë të rëndësishme të marrëdhënieve bilaterale, në interes të ndërsjellë në fusha të ndryshme.


Arivisti Company