E enjte, 4 Shkurt 2021
PRISHTINË – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit e ka përqendruar të gjithë fushatën se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm në vend.
Ramush Haradinaj në fjalimet e tij nuk flet për qeverinë e re që do të jetë vendimi i parë i Parlamentit të ardhshëm, por vetëm për kreun e shtetit që gjithashtu do të zgjidhet nga Parlamenti i ri.
Haradinaj shprehet i hapur për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen që shihet gjerësisht si fituese e zgjedhjeve.
“Kosova është në një krizë tani, është një situatë jo e lehtë, kemi probleme ekonomike nga pandemia, situata me Serbinë dhe integrimi në arenën ndërkombëtare. Jam i bindur që mundem të ruaj unitetin dhe ti shërbej vendit,”- shprehet Haradinaj.
Kreu i AAK-së tregon në “Balkan Talks” se pse dëshiron të marr postin e presidentit.
“Ne jemi Republikë parlamentar, por presidenti mban përgjegjësi për sigurinë dhe trupat e armatosura, mbron kushtetutën dhe zbatimin e saj. Për të gjitha këto përgjegjësi dhe nga fakti që kam qenë dy herë në krye të vendit, jam i sigurt që mund të udhëheq vendin dhe të ndihmoj Kosovën,” – thotë kandidati për president.
Kandidati për president shpalos dhe platformën zgjedhore që ka partia e tij.
“Kemi një listë që përfshin kandidatë nga çdo fushë, si ekonomia, politika, arsimi, shkenca etj. Ne kemi gjithashtu një program për të ndërtuar mjaft mirë ekonominë, politikën e jashtme, qeverinë. Unë e kam thjeshtësuar fokusin tim në këto zgjedhje duke kërkuar postin e presidentit”, tregon Ramush Haradianj.
Etiketa: AAK, Aktuale, Koalicion, Kosovë, LVV, Ramush Haradinaj