Jasharët hapën dyert, por Mustafa, Veseli dhe Thaçi nuk shkuan t’i vizitojnë


E hënë, 6 Mars 2017

Prekaz – Dita e dytë e Epopesë së UÇK-së ka vazhduar edhe sot me homazhet tek varrezat e të rënëve në Prekaz të Drenicës.

Qytetarë të shumtë, figura të larta politike, krerë të institucioneve qendrore dhe atyre lokale kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule mbi varret e të rënëve të familjes Jashari.

Në këtë ditë familja e komandantit legjendar Adem Jashari ka hapur dyert e kullës për vizita.

Ata u vizituan nga ministri i FSK-së, Haki Demolli, deputetët e PDK-së dhe zyrtarë të komunës së Skenderajt, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe personalitete tjera.

Të vetmit që shmangën kullën e Jasharëve janë kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Sot të dy këta bënë homazhe tek varrezat, por nuk shkuan në kullën e Jasharëve.

Njëjtë ka vepruar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi i cili nderimet te Jasharët i ka bërë, dje por pa u njoftuar mediat. As sivjet Thaçi nuk ka vizituar kullën e Jasharëve. /KP/

Etiketa: , , , ,
Të fundit