Jo të gjithë pemët përmirësojnë cilësinë e ajrit: pse disa mund ta përkeqësojnë ndotjen


E hënë, 31 Gusht 2026
Jo të gjithë pemët përmirësojnë cilësinë e ajrit: pse disa mund ta përkeqësojnë ndotjen

Arsyetimi duket kaq i thjeshtë sa tashmë merret thuajse si i mirëqenë: pemët thithin CO₂ dhe substanca të tjera të dëmshme, ndërsa çlirojnë oksigjen.

Për këtë arsye, mbjellja e sa më shumë pemëve në qytete konsiderohet një mënyrë e natyrshme për të përmirësuar cilësinë e ajrit.

Një studim i ri i publikuar në revistën Science Advances nuk e kundërshton këtë parim, por tregon se kur planifikohet gjelbërimi urban, duhet të merren parasysh edhe faktorë të tjerë. Kjo sepse edhe pemët prodhojnë dhe çlirojnë në atmosferë disa substanca që, në kushte të caktuara, mund të kontribuojnë në ndotjen e ajrit.

Studimi, i kryer nga studiues të Universitetit Jinan në Kinë, u përqendrua te të ashtuquajturat përbërje organike të paqëndrueshme me origjinë biologjike, të njohura si BVOC. Ato krijohen përmes proceseve biologjike dhe pemët janë një prej burimeve të tyre kryesore.

Substanca të ngjashme çlirohen edhe nga aktivitetet njerëzore, si përdorimi i tretësve, bojërave dhe produkteve të pastrimit, dhe në këtë rast quhen përbërje organike të paqëndrueshme me origjinë antropogjene.

Problemi qëndron te mënyra se si këto substanca reagojnë në atmosferë. Në prani të dritës së diellit dhe oksideve të azotit, ato mund të shkaktojnë reaksione kimike që çojnë në formimin e ozonit pranë sipërfaqes së tokës.

Ozoni në shtresat e larta të atmosferës është i dobishëm, sepse na mbron nga rrezatimi ultravjollcë. Por kur grumbullohet pranë tokës, është një ndotës i rrezikshëm.

Ekspozimi ndaj niveleve të larta të ozonit mund të shkaktojë probleme të frymëmarrjes, të dëmtojë sistemin kardiovaskular dhe të ketë pasoja të tjera për shëndetin.

Pikërisht për këtë arsye, gjatë dekadave të fundit janë kufizuar gjithnjë e më shumë burimet njerëzore të përbërjeve që kontribuojnë në formimin e ozonit.

Por studiuesit kinezë ngritën një pyetje tjetër: a mund të zbehet një pjesë e këtij përfitimi nga vetë pemët, nëse mbillen specie që çlirojnë sasi të mëdha të këtyre substancave?

Për ta kuptuar këtë, studiuesit analizuan në kohë reale përbërjen kimike të ajrit në Pekin, duke analizuar “frymëmarrjen” e qytetit gjatë periudhës nga maji deri në korrik të vitit 2021.

Analiza e të dhënave zgjati rreth pesë vjet dhe rezultatet treguan se zgjedhja e llojit të pemës mund të ketë rëndësi më të madhe nga sa mendohej.

Përbërjet e çliruara nga bimësia përbënin vetëm rreth 10 për qind të totalit të përbërjeve organike të paqëndrueshme të pranishme në ajër, por ato ishin shumë më reaktive se substancat me origjinë artificiale.

Mes tyre, më problematiku ishte izopreni, një përbërje që luan rol veçanërisht të madh në reaksionet kimike që çojnë në formimin e ozonit.

Kur studiuesit analizuan bimësinë e Pekinit, zbuluan se disa prej pemëve më të përdorura në qytet, përfshirë shelgjet dhe plepat, janë ndër çliruesit më të mëdhenj të izoprenit.

Kjo do të thotë se një pemë mund të jetë e dobishme në shumë aspekte për mjedisin, por në një qytet me nivele të larta të ndotjes mund të kontribuojë pa dashje edhe në krijimin e një ndotësi tjetër.

Krahasimi me qytetet evropiane e bëri më të dukshëm këtë fenomen. Në shumë prej tyre, speciet e pemëve më të përhapura nuk çlirojnë izopren në të njëjtën mënyrë, ndërsa nivelet e ozonit pranë tokës janë më të ulëta se në Pekin.

Megjithatë, studiuesit nuk thonë se duhet të ndalojmë mbjelljen e pemëve apo të presim pemët ekzistuese vetëm sepse i përkasin një specie të caktuar.

Përkundrazi, përfundimi është më praktik: nuk mjafton të mbjellësh pemë; duhet të zgjedhësh pemët e duhura për vendin e duhur.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur planifikohen parqe të reja, korridore të gjelbra dhe hapësira publike, por edhe kur një pemë e vjetër ose e dëmtuar duhet zëvendësuar.

Në luftën kundër ndotjes së ajrit, gjelbërimi urban mbetet një aleat i rëndësishëm, por shkenca po tregon se edhe në këtë rast sasia nuk mjafton: rëndësi ka edhe lloji i gjelbërimit që zgjedhim. tesheshi.com


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit