E shtunë, 6 Shkurt 2016
Londër – “Dita e vizitës së xhamisë sime” – muslimanët britanikë këtë fundjavë në mbarë Britaninë e Madhe organizuan dyer të hapura për jomuslimanët me qëllim të forcimit të dialogut dhe solidaritetit ndërfetar.
Muslimanët britanikë këtë fundjavë në mbarë Britaninë e Madhe organizuan dyer të hapura për jomuslimanët me qëllim të forcimit të dialogut dhe solidaritetit ndërfetar, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo ngjarje tejet interesante, e cila tërhoqi vëmendje të madhe jo vetëm në Britani të Madhe, por edhe më gjerë, mbahet nën emrin “Dita e vizitës së xhamisë sime”.
Muslimanët me këtë rast të gjithë vizitorëve të xhamisë, si muslimanëve po ashtu edhe jomuslimanëve, u ofrojnë çaj, njihen me njëri-tjetrin dhe bashkërisht shikojnë brendësinë e faltores. Mbi 80 xhami në Britani të Madhe i janë bashkangjitur nismës në mënyrë që, siç porositën organizatorët, të gjithë të interesuarve t’u sqarohet feja islame.
Përfaqësuesit muslimanë në Britaninë e Madhe theksuan se qëllimi parësor i kësaj nisme është të paktën deri diku të hiqen perceptimet negative ndaj Islamit dhe të informohen njerëzit për religjionin i cili, siç theksuan, promovon paqen, bashkëpunimin, tolerancën dhe dialogun.
Kjo ngjarje me titull “Dita e vizitës së xhamisë sime” mbahet në organizim të Këshillit Musliman të Britanisë (MCM). Një ngjarje e ngjashme është mbajtur edhe vitin e kaluar kur kësaj thirrjeje iu përgjigjën rreth 20 xhami.
Atëherë një numër i madh i jomuslimanëve vizituan xhamitë në mbarë vendin ku, me çaj dhe kafe të ngrohtë, u pritën pjesëtarët e feve dhe botëkuptimeve të ndryshme. Sivjet thirrjes i janë përgjigjur xhamitë e të gjitha qyteteve të mëdha siç janë Londra, Birmingham, Manchester, Leeds, Glasgow, Cardiff, Plymouth i Canterbury, etj.
Përfaqësuesit e muslimanëve britanikë nëpër xhamitë do të flasin për bazat e Islamit, ndërsa vizitorët do të kenë rastin që të shohin besimtarët teksa kryejnë lutjet, dhe do të njihen edhe me aktivitetet shoqërore që bëhen brenda faltores muslimane.
“Xhamitë lokale u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të të gjitha religjioneve, prej të cilëve pritet që bashkërisht të tregojnë unitet dhe solidaritet në kohë shumë të tensionuar për bashkësitë fetare”, theksuan nga Këshilli Musliman i Britanisë.
Në Britaninë e Madhe në vitin 2015 është regjistruar rritje e madhe e incidenteve lidhur me ndjenjat anti-muslimane. Sipas të dhënave të policisë britanike , numri i veprave penale të nxitura nga islamofobia vitin e kaluar është rritur për 70 përqind. Sipas regjistrimit të popullatës të vitit 2011, në Britani të Madhe jetojnë rreth 2.7 milionë muslimanë, që paraqet rreth 4.5 përqind e popullatës së përgjithshme të këtij vendi.
Etiketa: britani, Muslimanët