E martë, 5 Maj 2015
Skuadra e Juventusit ka shënuar fitore të rëndësishme me rezultat 2-1 përballë Real Madridit, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Casillas për pak sa nuk i dhuroi një gol të hershëm Juventusit kur gaboi në pasimin e topit, mirëpo për këtë duhet t’i falënderohet Arturo Vidalit i cili nuk e shfrytëzoi rastin për të shënuar ballë për ballë tij.
Sidoqoftë, goli i vendasve nuk vonoi, sepse pas një goditje dinake të Carlos Tevez, topi i dëbuar nga Casillas përfundoi në këmbët e Alvaro Moratas i cili e futi në rrjetë për ta ngritur stadiumin në këmbë(9’).
Vendasit si duket u lodhën nga presioni i lartë dhe filluan të tërhiqen prapa, ndërsa këtë rast e shfrytëzuan mysafirët që filluan ta kontrollojnë tempon e lojës me posedim të topit.
Nuk deshi shumë kohë dhe goli i madrilenëve erdhi pas një kombinimi të mirë të Carvajal dhe Rodriguez, teksa ky i fundit asistoi mrekullisht te Cristiano Ronaldo i vetmuar, i cili e futi topin në rrjetë lehtësisht(27’).
Madrilenët patën një rast të qind për qindtë në minutën e 40-të, kur Isco harkoi nga ana e majtë tek Rodriguez, i cili përballë portës së zbrazur e goditi transversalen. Deri në përfundim të pjesës së parë, nuk pati më raste që vlejnë për t’u përmendur.
Pjesa e dytë filloi me një ashpërsi më të madhe të të dyja palëve, ndërsa mysafirët patën iniciativën në fillim.
Sidoqoftë, pas një kundërsulmi të shpejtë të vendasve, Carlos Tevez u pengua në zonë nga Dani Carvajal dhe gjyqtari Atkinson akordoi penallti. Tevez ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë dhe i dha përsëri epërsinë Juventusit(57’).
Pas golit të dytë, vendasit morën kontrollin e ndeshjes në dorë dhe arritën që ta ruajnë rezultatin deri në fund të takimit, përkundër përpjekjeve të madrilenëve për të shënuar.
Etiketa: Champions League, Juventus, Real Madrid