E martë, 14 Shkurt 2023
PRISHTINË – Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësi, ku ka treguar për gjendjen në shëndetësi.
Vitia ka bërë të ditur se kanë planifikuar ndërhyrje në dy drejtime themelore ku do të marrim masa dhe veprime .
“Mbulueshmëria me shërbime shëndetësore publike brenda standardeve për secilin qytetar dhe rritja e shërbimeve shëndetësore brenda vendit, përballueshmëria e çmimeve dhe cilësia e barnave”, ka thënë Vitia.
Ministri ka theksuar se kanë një seri urgjencash për të cilat janë bërë gati të veprojnë.
“Urgjencat prioritare dhe operative: sigurimi në sektorin publik i profesionistëve mjekësor në fushat deficitare, zvogëlimi i listës së pritjes në nivelin terciar, ndërhyrjet emergjente në infrastrukturën spitalore dhe shtimin e një grupi të pajisjeve mjekësore brenda sektorit publik që ulin shpenzimet e pacienteve, vendosja e standardeve për procedurat e pranimit të pacientëve, kontrolli i sigurisë së barnave përfshirë edhe kontrollin e tregut, hapja e konkursit të ri me standarde të reja për specializantët, lista esenciale e re barnave miratimi dhe furnizimi sipas saj, koordinimi sistematik me nivelin komunal dhe furnizimi të plotë të QKMF-ve etj”, tha ministri.
Vitia më tej folu edhe për masat dhe veprimet strategjike që do të ndërmarrin si ministri, transmeton Telegrafi.
“Masat dhe veprimet strategjike që do të ndërmarrim janë: përfundimi i ligjit për shëndetësi përfshirë edhe reformën institucionale që buron nga ky ligj, miratimin e ligjit për sigurime shëndetësore dhe reformimi i plotë i fondit të sigurimeve shëndetësore”, u shpreh ai.
Sa i përket veprimeve institucionale që do të realizohen gjatë këtij viti nga Ministria e Shëndetësisë, Vitia përmendi: “reformimi dhe forcimi i inspektorëve shëndetësorë përfshirë edhe ligjin e ri për ta, forcimi menagjerial SHSKUK-së, administrimi dhe strukturimi i drejtimit të QKUK-së, përmirësimi i shërbimeve, forcimi i rolit të agjencisë për produkte dhe pajisje medicionale përfshirë ligji i ri për barna dhe pajisje medicionale…”
Ministri theksoi se këto veprime e masa të planifikuara presin që të japin rezultatet e para në gjashtë mujorin e këtij viti.
Vitia shtoi se është i vetëdijshëm për mungesat që janë në spitalet tona.
“Jam i vetëdijshëm që ka shumë mungesa në kushtet bazike në spitalet tona, dhe për këtë në pjesën më ta madhe të kohës vëmendja është tek trajnimi shëndetësorë bazik dhe vështirësitë e furnizimit në kohë me barna dhe material shpenzues”, tha Vitia.
Ministri Vitia gjithashtu bëri të ditur se do të jenë transparent sa i përket edhe shpenzimeve buxhetore.
“Masat e tjera janë ato që mund të quhen të domosdoshme, janë masat antikorrupison. Procesi i shpenzimit të buxhetit dhe atij të prokurimit në MSH dhe SHSKUK do të kaloj në platformën e transparencës radikale. Ka nevojë që çdo shpenzim të shihet nga publiku. Buxheti është rritur dhe duhet të rritet edhe llogaridhënia”, tha Vitia.
Vitia bëri të ditur gjithashtu se gjatë këtij viti pritet të hapet edhe konkursi për specializime të reja në disa fusha të caktuara ku është vërejtur që ka mungesa.
Etiketa: Aktuale, Arben Vitia, Kosovë, shendetesia, Spitalet