E enjte, 21 Janar 2021
PRISHTINË – Subjektet politike, të cilat garojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, nuk kanë hequr dorë nga mendësia e krijuar me vite, që në listat e tyre të kenë kandidatë që kanë problem me ligjin, vlerëson njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Sipas tij, një gjë tillë u dëshmua edhe me përgjigjen që Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku thuhet se nga 28 subjekte politike, që kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, 15 prej tyre kanë kandidatë, të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Në përgjithësi, sipas KQZ-së, e cila është bazuar në përgjigjen e Këshilli Gjyqësor të Kosovës, “janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”.
Miftaraj: Kandidatët ‘problematikë’, për elektorat
Ehat Miftaraj thotë për Radion Evropa e Lirë se futja në lista zgjedhore të kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit, është qasje e partive politike që dëshmon mungesën e vullnetit politik për t’i ofruar qytetarëve kandidatë për deputetë apo qeverisje me duar të pastra.
“Kjo e dëshmon se për partitë politike është shumë më shumë me interes që të propozojnë kandidatë qoftë me aktakuza, qoftë që kanë probleme me ligjin, por të cilët në elektorat mund të sjellin vota. Por, në anën tjetër, kjo sjellje e votave, automatikisht ndikon në besimin e publikut, në integritetin e kandidatit dhe të institucioneve, por edhe të vet partisë politike. Në një shtet normal, në një shtet që aspiron të zbatojë standarde minimale të qeverisjes së mirë, të sundimit të ligjit, një qasje e tillë do të ishte e papranueshme. Por, në Kosovë, fatkeqësisht kjo është ndërtuar si standard”, theksoi Miftaraj.
Ai shtoi se kjo nuk është hera e parë që partitë politike kanë në listat e tyre zgjedhore kandidatë që kanë probleme me ligjin.
Siç thotë Miftaraj, sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme në vitin 2017, për t’u certifikuar si kandidatë në garën për deputet të Kuvendit të Kosovës, kanë pasur të drejtë edhe personat e dënuar, por edhe ata me aktakuzë, transmeton Telegrafi.
Etiketa: Aktuale, Kosovë, partite politike, Zgjedhjet, Zgjedhjet Parlamentare 2021