Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kapitalizmi me moral

Prizren Post | 15:55 - 29.06.2014

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
Kushtrim SHALA

Bota është një pikë shumë e vogël në gjithësinë e pakufishme, me çudira dhe ekstreme të paparashikuara. Të ngjashme me ato tash që po ndodhin në kampionatin botëror të futbollit. Statistikat e nxjerrë nga banka botërore japin shifra të befasishme, siç janë edhe rezultatet në kampionat. Sipas saj në botë nga gjithsej 7 miliardë njerëz, 1.2 miliardë janë njerëzit më të varfër të planetit që zënë vetëm 1% të konsumit në botë, ndërkohë që 1 miliardë më të pasurit zënë 72% të konsumit në glob. 85 njerëzit më të pasur në botë kanë akumuluar të njëjtën sasi pasurie sa 3.5 miliardët që janë në fund të listës. 1 në 8 persona në botë shkojnë në shtrat të uritur çdo natë, ndërkohë që 1.4 miliardë janë në mbipeshë. Faktor të këtij ekstremiteti në botë janë sistemet ekonomike që kanë funksionuar dhe që funksionojnë sot, njëri ndër to është edhe kapitalizmi si më i zbatueshëmi në botë. Kapitalizmi është një fjalë e përdorur qysh moti apo një sistem duke filluar që nga vitin 1750 në Britaninë e Madhe për të vazhduar më pas në SHBA. Si term i përgjithshëm ekonomik kapitalizmi është sistem ekonomiko-shoqëror i bazuar në pronën private dhe në fitim privat. Mjetet kryesore të bërit biznes u përkasin individëve dhe kompanive ku ata janë pronar. Kapitalizëm individi është i lirë të zgjedh lirishtë se çfarë dëshiron.

Ndërkohë vendi ku sot është duke u mbajtur kampionati i futbollit, Brazili, ka një ekonomi të përzier e cila përfshin tiparet e një kapitalizmi të tregut të bazuar dhe të planifikimit socialist, dhe si pasojë e sistemit ekonomik sot Brazili është ekonomia e gjashtë në botë duke e kaluar edhe atë të Britanisë së madhe, ky zhvillim i bazuar në pasuri natyrore të saj ishte edhe ndër faktorët kyç që e fitoj projektin për organizimin e këtij kampionati të futbollit, ndonëse në kohën e fundit Brazili ka pasur një ngadalësim të rritjes ekonomike për vetëm 0.2% në tre mujorin e parë të 2014, gjithmonë sipas Bankës Botërore.

Si individë unë jam adhurues, jo, sepse adhurohet vetëm Zoti, por jam një propagandist i kapitalizmit, një ideator i asaj që bota duhet të dominojë nga kapitalizmi por jo pikërisht nga ky që sot dominon. Si njëra ndër arsyet pse i qëndroj këtij mendimi është sepse kapitalizmi kërkon angazhim të gjithë njerëzve me aftësi pune. Bota sot ka një përparim të ekonomisë botërore të paprecedent fal kapitalizmit. Në kapitalizëm që të kesh duhet të jesh së ekzistuari, në kuptimin filozofik të fjalës. Kapitalizmi është shpresa më e madhe e njerëzimit për rritje dhe prosperitet.

Çka nënkuptoj me kapitalizëm moral?

Puna është farz(obligim) nga Zoti. Njeriu është i shtytur të punojë, të ndërmarrë aktivitete në procese ekonomik dhe gëzon të drejtën për të pasur pronë private. Njeriu ka të drejtën e fitimit, investimit dhe shpenzimit, por për të gjitha këto aktivitete ai është i udhëzuar nga Krijuesi i tij që të mos i bëjë me papërgjegjësi dhe për të gjitha aktivitetet e tij ai është përgjegjës tek Ai, dhe kjo është ajo për të cilën unë thirrem në kapitalizëm moral, të bërit biznes me frik për Zotin. Atë që posedon njeriu, nuk ka liri të pakufizuar për ta shpenzuar ose investuar ashtu sikur dëshiron ai, normal kur ai ka ndërgjegje. Ekzistojnë rregulla dhe përkufizime të investimit, të shpenzimit të pasurisë private, të cilave duhet t’u përmbahet secili.

Në udhëzimet e Kuranit famë lart, Zoti e ka obliguar të pasurin që t’i përmbushë obligimet financiare ndaj shoqërisë (p.sh. pagesa e zekatit dhe e sadakasë për njerëzit në nevojë e jo për ata me të gjitha aftësitë fizike-mendore për punë e të presin sadak), të mos shpenzoj në mënyrë ekstravagante por të ketë përgjegjësi ndaj shoqërisë. Njeriut që të bëjë biznes të moralshëm duhet të kujtoj vazhdimisht fakti se Zoti është Furnizuesi dhe Pronari Absolut i tërë pasurisë në këtë botë. Kapitalisti duhet të dijë se pasuria është edhe obligim e jo vetëm privilegj apo e arritur e tij personale, sepse Zoti është Ai që furnizon.

Çdo sistem qoftë ai politik apo ekonomik ka anët e saj negative. Ana e errët e kapitalizmit fillon atëherë kur shpenzimet nuk mund të kontrollohen, të harxhosh më shumë se çka mund të fitosh pra të kalosh në shpenzime ekstravagante që të cilën e ndalon edhe Zoti, si pasoj e kësaj mbështetja në shoqëri për kapitalizmin mund të zhduket, njëkohësisht edhe shpresa e njerëzimit për rritje dhe prosperitet.

Është momenti që të vazhdohet ky prosperitet pozitiv, dhe për këtë duhet që të idealizohen dhe implementohen  sisteme të reja në ekonomi, që veç po shfaqen përreth botës. Me një “refresh” të kapitalizmit, bizneset duhet të shohin përtej fitimit dhe humbjes, pasi tregtia e ndershme është e lejuar dhe e bekuar nga Zoti i Lartësuar. Biznesi është i lejuar të ndërmerret nga individë, kompani, agjenci e forma të ngjashme, porse të gjitha marrëveshjet duhet të përfundojnë me transparencë dhe sinqeritet kjo për të ruajtur mbështetjen publike në ekonominë e tregut, kompanitë duhet të jenë të vetëdijshme për rolin që kanë në shoqëri, dhe të punojnë për të garantuar që dobitë e rritjes ekonomike të ndahen sa më gjerësisht, si dhe të mos imponojnë kosto të papranueshme në mjedis dhe shoqëri. Një numër gjithnjë e më i madh provash po na tregojnë këto modele të reja të biznesit mund të ofrojnë rritje ekonomike të përgjegjshme. Një sistem ekonomik me punë të udhëzuar nga i Lartësuari, ka të garantuar zhvillimin. Duhet të udhëzohemi, tek e fundit, siç thotë edhe Mahatma Gandhi: “E ardhmja varet nga ajo që bën sot”!

Kushtrim N. SHALA
(Ekonomist)

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Bëni një koment