Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kapitull i ri në marrëdhëniet SHBA-Kinë

Prizren Post | 14:07 - 08.06.2013

Në Kaliforni nisi punimet samiti 2-ditor mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Dy presidentët, Barack Obama dhe Xi Jinping në fjalën e hapjes së punimeve folën për nevojën e një epoke të re në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Presidenti Obama ceku ato që ai i quajti “zonat e tensionit”, si rivaliteti në Paqësor, programi bërthamor i Koresë së Veriut dhe spiunazhi kibernetik. Ky është takimi i parë mes Obamës dhe Xi Jinping që nga kohë kur ky i fundit mori detyrën e presidentit të Kinës.

Ekspertët vlerësojnë se takimi informal në kompleksin Rancho Mirage është një mundësi e mirë për dy ekonomitë më të mëdha të botës për të rindërtuar një raport bashkëpunimi më të thellë, pavarësisht ndasive të mëdha në disa qendrime.

“Vendimi ynë për t’u takuar kaq shpejt (referuar marrjes së detyrës nga Xi Jinping) tregon rëndësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”, tha presidenti Obama.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Uashingtoni mirëpret rritjen paqësore të Kinës, por se dëshironte një ekonomi globale ku të gjitha kombet të luanin me të njëjtat rregulla.

Obama u ndal edhe tek siguria kibernetike. Disa herë Uashingtoni ka akuzuar Pekinin për sulme kibernetike të organizuara dhe drejtuara nga qeveria kineze ndaj institucioneve dhe dosjeve sekrete amerikane. “Sigurisht që ka mosmarrëveshje mes dy vendeve, por ne bëmë thirrje për një bashkëpunim në fushën e sigurisë kibernetike”, tha Obama.

Nga ana e tij, presidenti kinez tha se takimi me homologun amerikan synonte hapjen e një kapitulli të ri të marrëdhënieve Kinë-SHBA dhe hedhjen e themeleve për një raport të qendrueshëm të tyre.

“Hapësira e Oqeanit Paqësor del e tepron edhe për dy vende të mëdha si Shtetet e Bashkuara dhe Kina”, tha Xi Jinping.

Nisja e punimeve të samitit u shoqërua me protesta të grupeve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut që i bënë thirrje presidentit Obama që t’i kërkojë homologut kinez lirimin e 16 të burgosurve të profilit të lartë, mes të cilëve edhe Liu Xiaobo, fitues i cmimit Nobel për Paqe në vitin 2010.


Arivisti Company