E enjte, 25 Korrik 2013
Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka reaguar pas informatave se në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, strukturat ilegale serbe më mbështetje të “Republika Srpska” kanë nisur të ndërtojnë dy objekte kolektive për banim. Ai i ka cilësuar këto si përpjekje për ta destabilizuar situatën në mënyrë që të sfidohet edhe zbatimi i marrëveshjes së Brukselit.
Kastrati kërkoi nga strukturat e rendit si dhe nga Zyra Administrative në veri që të marrin masa dhe të mos lejojnë një gjë të tillë.
“Në të njëjtën kohë që strukturat ilegale pengojnë rindërtimin e shtëpive shqiptare të djegura gjatë luftës në thellësi të Kroit të Vitakut, ato nisin ndërtesa kolektive në Lagjen e Boshnjakëve. Kjo është e papranueshme dhe nëse strukturat përgjegjëse, sidomos ato ndërkombëtare nuk ndërmarrin asnjë hap, atëherë gjendja mund të eskaloj”, ka thënë Kastrati.
Ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i që të marrin situatën në duar, meqë këta hapa të strukturave ilegale serbe në veri janë shumë të rrezikshëm dhe mund të minojnë progresin e arritur.
“Ky është rasti konkret për të cilin duhet të reagoj bashkësia ndërkombëtare si dhe misionet që janë në Kosovë, në të kundërtën do të jetë vështirë që situata të mbahet nën kontroll”, theksoi Kastrati, transmeton KP.
Etiketa: Mitrovicë