“Kathimerini”: Shqiptarët s’kanë mësuar nga historia


E shtunë, 18 Janar 2014

Gazeta greke “Kathimerini” boton një shkrim të gazetarit njohës i çështjeve të Ballkanit, Stavros Tzimas, që lidhet me mbledhjen e dy qeverive shqiptare në Prizren. Shkrimi analizon faktin që mbledhja u zhvillua pikërisht në këtë qytet historik për shqiptarët. Pasi bën një historik të shkurtër për lidhjen e Prizrenit, ku në vitin 1878 shqiptarët deklaruan autonominë nga turqit, gazetari thotë se “sot, 136 vjet më vonë qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës takohen në të njëjtin qytet historik për Shqipërinë, Kosovën e rajonin”.

Duke quajtur popujt shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës “vëllezërit e papërmbushur”, gazetari thekson se “përse”-në e takimit të dy qeverive në Prizren, nuk e shpjegoi as Thaçi dhe as Rama, edhe pse ky i fundit për të shmangur konotacionet apo interpretimet e mundshme, foli për paprekshmërinë e kufijve.

“Nuk është e vështirë për të kuptuar një iniciativë të tillë, kur termi i papërmendshëm “Shqipëri e Madhe” pretendon të gjejë vend në axhendën politike të partive dhe qeverive shqiptare. Tirana dhe Prishtina asnjëherë nuk kanë pushuar së besuari, se edhe pas pavarësisë së Kosovës ka çështje kombëtare të pazgjidhura”, shkruan Tzimas, i cili kujton se një takim i dytë i ngjashëm do të zhvillohet në Vlorë, një qytet simbol i fuqishëm kombëtar, ku u ngrit flamuri i pavarësisë së Shqipërisë.

Sipas shkrimit, takimi nisi me marshe dhe melodi kombëtare sikur të ishte luftë, ndërsa leximi i linjave të deklaratave të udhëheqësve shqiptarë të bën të kuptosh se këta të fundit nuk kanë mësuar asgjë nga historia e popujve superiorë të Ballkanit./zhurnal

Të fundit