E enjte, 6 Shkurt 2014
Prishtinë, 6 shkurt – Hashim Thaçi e Kadri Vesli nuk ishin themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por u inkuadruan më vonë në të. Kështu ka thënë njëri ndër ish-themeluesit e kësaj ushtrie Muhamet Kelemendi, në emisionin “Rubikon” të KTV-së.
“Nuk e di që kanë qenë në themelim të UÇK-së. Për të qenë më i qartë, nuk kanë qenë themelues”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka thënë se kryeministrin aktual të vendit, si dhe ish drejtuesin e ShIK-ut, i njeh personalisht që nga viti 1991.
“I njoh prej ilegales. Në strukturën udhëheqëse të UÇK-së nuk i kam parë. Ata janë avancuar më vonë aty”, ka thënë më pas Kelmendi, teksa ka thënë se ata kanë vepruar nën direktivat e Azem Sylës, Ali Ahmetit e Xhavit Halitit, tre themelues të tjerë të UÇK-së.
Në emisionin e Adriatik Kelmendit, ai ka thënë se fondi i tre përqindëshit duhet të hetohet nga Kuvendi dhe Organet kompetente.
Kelmendi ka përmendur se qeveria Bukoshi kishte dhënë tri herë nga 30 mijë marka për UÇK-në, e kjo ishte bërë përmes Adem Demaçit. Por ky i fundit, sipas Kelmendit nuk dinte gjë për UÇK-në deri në vitin 1996.
“Unë e kam takuar dhe i kam treguar për UÇK-në. Nuk e besonte. Por duke qenë se ai kishte lidhje të mira me Bujar Bukoshin e luta që të shkojë dhe të kërkojë para për UÇK-në. I thash që cilin do person që e do Bujar Bukoshi le te ngarkon me këtë punë. Bukoshi u pajtua me një kusht. Tha, i ndajmë çdo muaj nga 30 mijë euro me kushtin që çdo muaj të ketë aksione kundër forcave pushtuese”, ka thënë Kelmendi, teksa ka shtuar se janë ndarë mjete tri herë.
Njëri ndër themeluesit e UÇK-së dhe LPK-së Kelmendi ka folur edhe vrasjen e Zahir Pajazit, për të cilën ka kërkuar hetime. Këtë të fundit dhe Adem Jasharin ka thënë se i ka dërguar në Tiranë për ushtrime LDK-ja.
Njëri ndër themeluesit e UÇK-së dhe LPK-së Kelmendi në këtë intervistë ka folur në mënyrë kronologjike për të gjitha zhvillimet e organizatave legale dhe jo legale të asaj kohe dhe për çështje të tjera./koha/