Kërkohet Agim Çeku


E hënë, 23 Shtator 2013

Prej ditës kur ka pranuar që ta marrë detyrën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për të qenë kandidat për kryetar të Prishtinës, askush më nuk ka arritur që ta shoh përpara kamerave televizive Agim Çekun.

Në ndërkohë kandidatet tjerë nuk po lënë guri pa lëvizur për të atraktuar sa më shumë qytetarë që të votojnë për ta në zgjedhjet e nëntorit, transmeton Express.

Isa Mustafa po gjuan në të majtë dhe në të djathtë partitë politike duke u thënë se nuk kanë çfarë kërkojnë në kryeqytet, sepse këtu do t’i mundte edhe po të ishin kundër tij tok së bashku Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Albin Kurti.

Ne anën tjetër Korab Sejdiu është duke vazhduar me procesin e sabotimit brenda ish-partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sa here qe po ka nevojë në ndihmë po i del edhe shefi i Partisë, Behgjet Pacolli, me ndonjë koment për gjendjen në kryeqytet

Shpend Ahmeti, i ndihmuar edhe prej figurave të tjera të partisë, për çdo natë edhe nëpër edicionet qendrore të lajmeve duke dhënë ide se si do ta ndryshonte kryeqytetin

Për Besnik Tahirin nuk ka nevojë të thuhet shumë. Ai fushatën për Prishtine e ka filluar përpara katër vjetësh, prej momentit kur kishte humbur herën e fundit

I vetmi që po mungon është Agim Çeku. Ose i di të gjithë ose nuk po ka se çka të thotë. Madje, shumë më aktiv se sa ai janë edhe zyrtaret e Partisë së Fortë

Në një prononcim, Kryetari i Degës së PDK-së për Prishtine, Lirak Çelaj, kishte deklaruar se Çeku e ka zgjedhur një metode tjetër të fushatës: larg syrit të kamerave. Sepse, sipas tij, kjo mënyra e fushatës me kamera duket të mos jetë shumë e sinqertë.

Nëse kjo strategji e Çekut do të dalë e suksesshme, atëherë sipas të gjitha gjasave e gjithë hemisfera perëndimore e planetit do të vijë në PDK për të marrë shkollë se si fitohen zgjedhjet. Sot e kësaj dite në botën demokratike fushatat zgjedhore – në mënyrë të pasinqertë apo jo – bëhen vetëm përmes mediave. Jashtë syrit të kamerave kryesisht kryhen punët ilegale. /Express/Telegrafi/

Etiketa: , ,
Të fundit