E hënë, 28 Shtator 2015
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministrin Bekim Çollaku, janë takuar me shefin e delegacionit të Greqisë në AP të Kombeve të Bashkuara, ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikolaos Kotzias.
Kryeministri Mustafa e njoftoi shefin e diplomacisë greke për progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e rrugës integruese në Bashkimin Evropian, si dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare.
Mustafa e falenderoi ministrin Kotzias për mbështetjen e Greqisë në proceset integruese evropiane të Kosovës.
Kryeministri kërkoi përkrahje të mëtejshme për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, INTERPOL dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikolaos Kotzias, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e Greqisë për proceset integruese evropiane dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.