E hënë, 15 Shtator 2014
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u takua sot me udhëheqësit egjiptianë, në përpjekje për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Sekretari Kerry tha se Egjipti është në vijën e kërcënimeve ekstremiste, veçanërisht në Gadishullin Sinai, ndaj edhe administrata e presidentit Obama miratoi muajin e kaluar dërgimin e helikopterëve “Apache”, dërgesë e bllokuar kjo si rezultat i shqetësimeve mbi të drejtat e njeriut.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit deklaroi se ka patur kontakte mes grupit terrorist egjiptian “Ansar Bayt al-Maqdis” dhe Shtetit Islamik. Sekretari Kerry tha se ky kërcënim kërkon reagime të koordinuara.
“Në botën e sotme të globalizmit, është vetëm çështje kohe para se kërcënimi i terrorizmit diku, të bëhet kërcënim kudo. Kjo duket qartë në rastin e Shtetit Islamik. Është një organizatë, brutaliteti dhe ligësia totale e së cilës nuk njeh kufij.”
Pas bisedimeve me Kerry-n, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukri tha se shërbimet egjiptiane të sigurisë po vëzhgojnë marrëdhëniet mes ISIL-it dhe terroristëve të brendshëm. Sipas tij, këto organizata ndajnë një ideologji dhe një vizion të përbashkët. I vetmi ndryshim, sipas Shoukri-t janë taktikat për të mundur idenë e shtetit kombëtar në mënyrë që ideologjitë e tyre ekstremiste të mund të mbizotërojnë.
Sekretari Kerry thotë se Egjipti ka një pozitë unike për të ndihmuar në luftën kundër intoleracës.
“Si një kryeqytet i itelektit dhe kulturës së botës myslimane, Egjipti ka një rol kritik për të luajtur duke hequr dorë publikisht ndaj ideologjisë që përhap ISIL.” – tha ai nga Egjipti.
Kerry falënderoi presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi për ndërmjetësimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe shprehu dëshirën që të dyja palët të rikthehen në Kajro për punuar lidhur me shkaqet themelore të dhunës atje./shekulli/
Etiketa: Amerika, Egjipti, John Kerry