Këshilli i BE-së miraton MSA-në për Kosovën


E enjte, 22 Tetor 2015

Bruksel – Sot, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së me 27 tetor në Strasburg.

MSA parasheh themelimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimin Evropian dhe paraqet hapin e parë formal drejt anëtarësimit të plotë në BE.

“Miratimi i sotëm i MSA-së nga Këshilli i BE është moment historik për Kosovën, dhe hap faqen e re drejt qëllimit përfundimtar të anëtarësimit të Kosovës në BE. Të gjitha institucionet kanë punuar jashtëzakonisht shumë për të ardhur në ditën e sotme. Procesi negociator për MSA ka filluar në vitin 2013 dhe dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet shtetërore për punën e tyre gjatë negociimit të MSA-së, si dhe partnerët tonë ndërkombëtar për përkrahjen e ofruar“, tha ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku.

MSA përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.

Ministria për Integrim Evropian ka bërë të gjitha përgatitjet ligjore për nënshkrimin e MSA-së dhe procedimin e mëtutjeshëm për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Etiketa: , , ,
Të fundit