“Këshilli i Veriut” kërkon të lirohet menjëherë Nehat Thaçit


E shtunë, 8 Tetor 2016

keshilli-i-veriut

Mitrovicë – Përfaqësuesit e organizatës “Këshilli i Veriut”, kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me arrestimin e drejtorit të Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, i cili ditë më parë është arrestuar në Serbi.

Në një konferencë për media, të mbajtur sot në urën e Ibrit, përfaqësuesit e shqiptarëve nga veriu i Kosovës, kanë kërkuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të merren seriozisht me fatin e drejtorit të policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi.

Nazmi Ismajli, kryetar i “Këshillit të Veriut”, ka thënë se institucionet vendore duhet të veprojnë sa më shpejt në lirimin e tij.

“Në emër të këshillit të veriut kërkojmë lirimin e drejtorit regjional Nehat Thaçit, që po mbahet padrejtësisht në burg për kontributin dhe mundin e tij, i jemi mirënjohës. Dhe njëherë kërkojmë dhe bëjmë thirrje institucioneve vendore që ai njeri të lirohet sa më shpejt nga burgu…”, tha Ismaili, raporton Telegrafi.

Ai po ashtu tha se është i vetëdijshëm që ai ka qenë drejtor i jugut, por sipas tij ai njeri ka dhënë kontribut të suksesshëm edhe në veri.

Ndërsa, përfaqësuesi i lagjes së ‘Boshnjakëve’, Vehbi Beqiri tha se “Ne ‘Këshilli i Veriut’ kërkojmë lirim të pakusht të drejtorit të policisë së Mitrovicës Nehat Thaçi, i cili është kidnapuar nga forcat fashiste të Serbisë dhe po mbahet padrejtësisht në kazamatet serbe… E ftojmë Edita Tahirin, që të merret seriozisht me lirimin e tij, ndryshe le të jap dorëheqje. Dorëheqje ish dashtë me dhënë edhe Shpend Maxhuni, Skënder Hyseni. Nuk ka kuptim se si një komandantë siç është Nehat Thaçi po mbahet padrejtësisht në burg”, tha ai.

Beqiri po ashtu tha se po habiten me neglizhencën e komandantëve të policisë në jug se si nuk marrin iniciativë për të dalë në protestë për lirimin e Nehat Thaçit.

Ndryshe, eprori i lartë i Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, u arrestua më 27 shtator në hyrje të Serbisë nga pika kufitare “Dheu i Bardhë”, pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Lartë në Nish të Serbisë, nën akuza për terrorizëm.