Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kështu u arrestuan komandot që kërkuan të eliminonin presidentin turk [video]

Prizren Post | 22:19 - 25.07.2016

Ditë të tëra kontrolli të imtësishëm në zonën e Marmarisës kanë dhënë më në fund rezultat. Shtatë prej komandove që zbarkuan mbrëmjen e 15 korrikut në Marmaris për të shtënë në dorë Rexhep Tajjip Erdoganin janë kapur ditën e sotme.

Siç informojnë forcat e sigurisë, ata u ndaluan në jugperëndim të vendit, në një zonë malore pranë fshatit Çetlibeli. Katër prej komandove u gjetën të fshehur në orët e pasdites në një kanal nëntokësor, dhe operacioni u transmetua drejtpërdrejt nga kanali televiziv informativ turk NTV.

Nga trupat që morën pjesë në bastisjen e hotelit ku qëndronte Erdogani janë në kërkim akoma dhe dhjetë ushtarë të tjerë. Marmaris, një zonë turistike, është e rrethuar nga toka, ajri e deti, dhe çdo makinë që lëviz në atë hapësirë kontrollohet hollësisht.

Deri më tani janë 19 ushtarë që qëndrojnë në paraburgim për lidhje me sulmin mbi hotelin në Marmaris.

Anëtarë të forcave speciale, të mbështetur nga tre helikopterë, mësynë në orët e vona të dhjetë ditëve më parë në hotelin ku qëndronte presidenti Erdogan, me synimin për ta rrëmbyer apo për ta eliminuar. Sulmi i tyre u krye 15 minuta pasi presidenti ishte larguar nga hoteli. Mes forcave puçiste dhe rojeve presidenciale pati një shkëmbim të ashpër zjarri. Shumë prej komandove morën më pas arratinë, për t’u fshehur në pyjet e dendura në atë zonë. /tesheshi/


Arivisti Company