E hënë, 23 Korrik 2018
Prishtinë – Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se njëra nga qendrat e diplomacisë së Serbisë ofron armë në vende të largëta të botës për të lobuar kundër Kosovës.
Pacolli tha se i dinë emrat e disa prej këtyre shteteve, por nuk do t’i publikojnë, raporton Ekonomia Online.
“Kemi të dhëna se një prej bazave të lobimit të diplomacisë serbe është ofrimi në kompensim të armëve. U konfirmuan dje shqetësimet e mia. Ne jemi duke studiuar mënyrën si ta kundërshtojmë këtë iniciativë që e kanë marrë serbët që janë duke lobuar në mënyrë të egër. Nuk na dekurajon, sepse është e drejta jonë të ecim përpara që të mos influencohemi nga këto veprime. I kam emrat e disa shteteve por për hirë të diskrecoinit po i lëmë këto informata për ne”, ka thënë Pacolli në konferencën për medie me kryeministrin Ramush Haradinaj.
Pacolli gjithashtu ka deklaruar se në fund të këtij viti do të aplikojnë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa vitin e ardhshëm në UNESCO.
Ai ka shtuar se sfidë për ministrinë do të jetë freskimi i diplomatëve, përmes kthimit të ambasadorëve jashtë vendit, të cilët janë në ato pozita më shumë se dy mandate.
Sipas tij, 50 për qind e diplomatëve do të jenë të karrierës, kurse 50 për qind diplomatë politik.
Etiketa: Behgjet Pacolli, Kosova, Serbia