Këto janë pesë prioritetet e Qeverisë Mustafa për vitin 2016


E diel, 6 Mars 2016

Prishtinë – Kryeministri, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka treguar pesë prioritet e Qeverisë për vitin 2016, në mesin e tyre zbardhjen e të gjitha rasteve të të pagjeturve.


“Vitin e kaluar kemi kryer disa reforma të nevojshme ekonomike dhe institucionale të cilat krijojnë një ambient më të përshtatshëm për zhvillim ekonomik dhe për funksionim të shtetit ligjor. Reforma fiskale po tregohet e suksesshme në nxitjen e bizneseve. Kurse me ndryshimet dhe plotësimet ligjore, janë pavarësuar krejtësisht Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thënë se është aplikuar Ligji mbi faljen e borxheve, është aprovuar Ligji për fondin mbi garantimin e kredive për biznese, është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Prokurimin Publik, kurse në procedurë të Kuvendit është edhe aprovim i Ligjit për Investime Strategjike.

Mustafa ka shtuar se ka pasur një ngritje mesatare të pagave për 6 për qind.

“Në fushën sociale, duhet theksuar se përmes zbatimit të përvojës së punës, pagat mesatarisht janë ngritur mbi 6%, janë rritë ndihmat sociale për 25% dhe po ashtu janë rritë pensionet e kontributdhënësve së paku për 20%”, është shprehur ai.

Sipas tij në vitin e kaluar në Kosovë janë punësuar rreth 18 persona, duke pëfshirë këtu edhe ata në bujqësi.

“Si rezultat të agreguar kemi një normë të rritjes ekonomike më të madhe në rajon dhe, po ashtu, rreth 18 mijë persona të punësuar në vitin 2015, duke përfshirë edhe ata në bujqësi. Këtë vit pritet të fillojmë projektet më të rëndësishme të pasluftës. Ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, e cila ka vlerën prej mbi një miliardë euro. Përfundimin e marrëveshjes për kompleksin turistik në Brezovicë me një vlerë të investimit prej mbi 400 milion euro, shumë projekte të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, fillimin e zbatimit të MSA, që nënkupton mundësi më të mëdha të tërheqjes së investimeve të huaja në Kosovë dhe prezencë më të madhe të produkteve “Made in Kosova” në tregun e BE-së. Zbatimin e Ligjit për Investime Strategjike, i cili mundëson marrëveshje të drejtpërdrejta me investitorë të jashtëm. Do të aprovojmë Ligjin dhe Strategjinë për Trepçën”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se, “në këtë vit, po ashtu, do të punojmë edhe në pesë çështje të rëndësisë së madhe për vendin”.

Sipas tij Qeveria do të iniciojë:

– Kompensimin e dëmeve të luftës, përfshirë edhe kompensimin e pensioneve të grabitura nga Serbia para dhe gjatë luftës;

– Zbardhjen e të gjitha rasteve të të pagjeturve;

– Zbardhjen e dyshimeve të vrasjeve politike, përmes sistemit vendor të drejtësisë;

– Reformën zgjedhore, e cila do të krijonte një ambient më të mirë për zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe zgjedhjet nacionale të vitit 2018.

“Realizimi i këtyre objektivave është në interes të vendit, të qytetarëve dhe të të gjitha subjekteve politike”, ka thënë Mustafa./RTK/

Etiketa: , , ,
Të fundit