KFOR-i nuk do të duhej të ishte i heshtur ndaj sulmit që kishte mandat ta parandalonte


E enjte, 15 Qershor 2023

PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se, është në pritje të reagimit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për arrestimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

Ai ka thënë se mbrojtja e vijës kufitare në pjesën veriore të Kosovës, është përgjegjësi e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, por “në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it”.

“KFOR-i nuk do të duhej të jetë i heshtur dhe as i përulur ndaj një sulmi kidnapues, të cilin e kishte edhe mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj, që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare, që ishte dashur ta përmbushë efektivisht”.

KFOR-i, ka thënë më 14 qershor se është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen që ndodhi në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

Beogradi, në anën tjetër, deklaron se nuk bëhet fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve në territorin serb.

Kurti ka thënë para deputetëve të Kosovës, se diçka e tillë përbën akt agresioni ndaj Kosovës.

“Akti i këtillë i kësaj policie militare të Serbisë, është në variantin më të mirë, një akt qyqar, e cila pasi kidnapoi tre policë, që kishin mandat të qartë në mbrojtjen e kufirit nga grupet që kontrabandonin mallra përmes rrugëve ilegale, iku me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Etiketa: , , , ,
Të fundit