Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

KIE, shtyllë për ekonominë e Kosovës

Prizren Post | 11:28 - 25.05.2017

KIE aktualisht përbëhet nga 25 investitorë evropianë, që punësojnë direkt më shume se 8000 kosovarë me kontrata të rregullta apo si kontraktues të shërbimeve dhe produkteve të tyre.

Qarkullimi aktual i anëtarëve të KIE është mbi 500 milionë euro, ndërsa investimet e anëtarëve të KIE në Kosovë deri më tani arrijnë shumën e mbi 1 miliard eurove.

Ceremonia u hap nga presidenti i Bordit të KIE, Robert Erzin, i cili në një fjalë rasti tha se që nga viti 2014, Këshilli i Investitorëve Evropianë është bërë shoqata më e rëndësishme e biznesit, e cila përfaqëson fuqishëm interesat e investitorëve evropianë, duke arritur që të krijojë kanale të fuqishme të bashkëpunimit dhe komunikimit me Zyrën e BE-së në Kosovë, Qeverinë e Kosovës, si dhe të ndikojë në politikat publike dhe të jetë zëri kryesor i bizneseve evropiane në Kosovë.

“Krijimi i një platforme të tillë me ndikim zakonisht merr kohë, por që KIE me dialogun e investimeve dhe duke qenë anëtar në shumë platforma të afarizmit dhe pjesëmarrëse në komisione qeveritare në baza të rregullta ka arritur që të luajë rol të rëndësishëm në këtë sferë”, tha Erzin.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e konsideroi të rëndësishëm anëtarësimin e anëtarëve të rinj në KIE, duke thënë që ndikimi i investimeve është tejet i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Tutje, Apostolova tha se “dua t’i komplimentoj të gjithë anëtarët e Këshillit të Investitorëve Evropianë që e kanë mbajtur Këshillin si shtyllë për ekonominë e Kosovës, ndikimi i investimeve është shumë i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, është zëri dhe adresa për investitorët ekzistues dhe ata të rinj.”

“MSA-ja është shtyllë tjetër e rëndësishme që lidh BE-në me Kosovën në shumë sektorë dhe në të drejtat në tregti dhe në eksport. MSA është një testament për përkushtimin në agjendën evropiane. Dje, BE ka vendosur ta vazhdojë bashkëpunimin dhe përkushtimin e saj për reforma ekonomike në Kosovë, të cilat nëse aplikohen në mënyrë të duhur ato do të kenë ndikim të madh në ekonominë e Kosovës”, theksoi Apostolova.

Gjatë ceremonisë si formë vlerësimi të anëtarësimit, u shpërndanë certifikata të anëtarësimit për bizneset vijuese: SIGAL UNIQA Group Austria, Porsche Kosova, Deloitte Kosova, BpB- Banka për Biznes dhe Asseco SEE.

Mal Berisha, drejtor ekzekutiv i SIGAL UNIQA Group Austria tha se është i kënaqur që është pjesë e KIE-së. “Kur kam filluar si drejtor i një prej kompanive më të mira të sigurimit, unë kam menduar që do të jem i përfshirë vetëm në çështje të sigurimeve, mirëpo tani falë KIE-së, përveç titullit drejtor ekzekutiv i SIGAL UNIQA Group Austria, unë jam i angazhuar edhe si anëtar i Bordit të KIE-së ku jam i involuar në çështje të ndryshme”.

Edhe anëtarët e tjerë të rinj të KIE-së kanë thënë që është privilegj të jenë pjesë e këtij Këshilli.

Pas kësaj ngjarje, KIE ka dëshmuar seriozitetin dhe vendosmërinë për ofrimin e shërbimeve cilësore për investitorët në eliminim e barrierave kryesore dhe krijimin e një mjedisi më të mirë të të bërit biznes në Kosovë, si dhe që është përfaqësuesi kryesor në Kosovë për investitorët e huaj.


Etiketa:
Arivisti Company