E mërkurë, 2 Gusht 2017
Përfaqësuesja e Kosovës A, në basketboll në konkurrencën e meshkujve, ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes së parë parakualifikuese për Kupën e Botës “Kina 2019”, ku do të luajë ndaj Maqedonisë.
Kosova do të kërkojë ta nisë me fitore, ndaj një kundërshtari shumë të vështirë në letër, aventurën për “Kupën e Botës”.
Trajneri amerikan i Kosovës, Bred Greenbergm është shprehur i matur me deklaratat para ndeshjes duke e favorizuar Maqedoninë në këtë duel.
“Ne kemi punuar shumë dhe besoj që jemi gati për këtë ndeshje, pasi do të luajmë ndaj një skuadre shumë të mirë, që është në ranglistën e FIBA-së, në vendin e 34-të dhe kjo është një mundësi e mirë dhe besoj se lojtarët e mi do të luajnë fort në këtë ndeshje dhe do të paraqitemi sa më mirë, e në basketboll kurrë nuk i dihet mund të arrijmë fitore në këtë ndeshje”, ka thënë ai.
Ndryshe nga trajneri Greenberg, kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, është shprehur optimist për takimin ndaj Maqedonisë, duke besuar në fitore.
“E kemi kryer fazën përgatitore mire. Kemi shanse ta mposhtim Maqedonin, si vendas. Shpresoj që salla do të jetë e mbushur. Do të jetë një ndeshje e fortë, dhe nuk do të jetë e lehtë”, ka deklaruar Berisha.
Përfaqësuesja kosovare, në para-kualifikimet për Kupën e Botës “Kina 2019” është në Grupin C së bashku me Maqedoninë dhe Estoninë.
Etiketa: Basketboll, Kina 2019, Kosova, Maqedonia