Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kinezët për 4 muaj ndërtojnë ndërtesën më të lartë në botë

Prizren Post | 12:57 - 26.07.2013

Punimet për hedhjen e themeleve të një rrokaqielli prej 838 metrash, që do të jetë ndërtesa më e lartë në botë, filluan në një qytet të Kinës Qendrore, deklaroi kompania që merret me ndërtimin e saj.

“E vendosur në metropolin Changsha, kulla ‘Sky City’ filloi ndërtimin”, citon deklarata e kompanisë së ndërtimit “Broad Group”, transmeton Start njoftimin.

Një tabelë e madhe e vendosur në vendin e ndërtimit tregon arkitekturën e kullës, duke specifikuar lartësinë e saj prej 838 metrash, që i tejkalon 830 metrat e “Burj Khalifa”-s në Dubai, e cila aktualisht mban rekordin botëror.

“Pas hedhjes së themeleve, ndërtimi i kullës nuk duhet të zgjasë më shumë se katër muaj”, citon më tej deklarata e kompanisë që synon ngritjen e kullës deri në prill të vitit 2014, një projekt me kosto prej 1.11 miliard eurosh.

Një shpejtësi e tillë ndërtimi ka ngritur dyshime mbi cilësinë e saj, në një vend ku defektet në infrastrukturë shkaktojnë edhe katastrofa.

“Projekti i qiellgërvishtësit të qytetit Changsha përfshin një zonë këmbësorësh që shtrihet në 10 kilometra, nga kati i parë deri në katin e 169-të, si dhe kinema, park, pishinë dhe kopsht për fëmijët”, nënvizon deklarata e kompanisë.

Kulla është projektuar për të përballuar tronditje sizmike me magnitudë deri në nëntë ballë.

“Broad Group” tërhoqi vëmendjen e mediave në vitin 2012 duke arritur ndërtimin e një ndërtese 29-katëshe brenda vetëm 15 ditëve.


Etiketa:
Arivisti Company