Koalicion vetëm me qendrën e djathtë


E hënë, 19 Maj 2014

Kryeministri në largim i Kosovës Hashim Thaçi, ka mbajtur sot një ligjëratë në një universitet privat në Ferizaj, ku ka folur për zgjedhjet dhe koalicionet e mundshme. Thaçi u ka thënë studentëve se PDK-ja do të bëjë koalicion me ndonjërin subjekt që ka si orientim politik qendrën e djathtë.

“Na duhet një parlament i fuqishëm për të marrë vendime të rëndësishme si ai për FAK-un, d.m.th. do të vijnë në konsiderim vetëm subjektet që vizioni i tyre përputhet me programin tonë për integrim në NATO, në BE”, ka thënë Thaçi.

Para studentëve Thaçi ka folur edhe për fondin e punësimit, me ç’rast ka thënë se Ferizaj do të përfitoj nga ky fond, i cili sipas tij do të krijoj parakushte për hapjen e vendeve të reja të punës.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët, Thaçi ka vënë në dukje se Fondi do tu krijoj bizneseve mundësinë e dyfishimit të vendeve të punës.

“Edukimin e kemi trajtuar si ekonomi, andaj fondi do të hapë vende të reja të punës edhe për ju”, u ka thënë Thaçi studentëve të këtij Universiteti privat.

Ndërkaq , Besim Beqaj,ka dhënë detaje të funksionimit të këtij fondi duke thënë se Fondi nuk do të funksionoj si bankë komerciale dhe se do të mbikëqyrët nga ndërkombëtaret.

“Fondi nuk do të jetë si bankat komerciale, këtu nuk do të ketë kamata, por do të ketë vetëm shpenzimi për menaxhimin e tij, prej 100 mijë kompanive të regjistruara nëse shfrytëzohet Fondi siç duhet mund të punësohen deri në 200 mijë veta”, ka thënë Beqaj.

Ndryshe, gjatë ditës kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka marr pjesë në manifestimin kushtuar 15 vjetorit të vrasjes së dëshmorit të kombit Enver Topalli, i mbajtur në Greme të Ferizajt, me ç’rast së bashku me simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçin dhe kryetarin e Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka bërë edhe zbulimin e bustit të dëshmorit në oborrin e shkollës e cila edhe e mban emrin e dëshmorit.

Kryeministri Thaçi ka vizituar disa biznese ferizajase, ndërsa ka inauguruara fillimin e punimeve të kompleksit banesor i njohur si “Lagjja e re” në Ferizaj. /Telegrafi/

Etiketa: ,
Të fundit