Koalicioni pajtohet me disa kushte të VV-së


E diel, 29 Qershor 2014

Tri partitë që kanë nënshkruar marrëveshjen për të bashkëqeverisur, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë pajtuar parimisht me disa nga kushtet e parashtruara nga ana e Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Burime të Gazetës Blic, të afërta me partnerët e koalicionit LDK – AAK – Nisma kanë thënë se në disa prej kushteve Lëvizja Vetëvendosje ka plotësisht të drejtë.

Sipas këtij burimi, partnerët e koalicionit mendojnë se edhe sa i përket bisedimeve me Serbinë, VV ka deri diku të drejtë, për faktin se duhet të ndryshohet qasja e këtyre bisedimeve. Megjithatë, sipas nuk do të ndodhë ndërprerja e bisedimeve.

“Edhe për dy kushtet tjera, sa i përket procesit të privatizimit. Ju e dini se edhe në legjislaturën e kaluar një pjesë e deputetëve të koalicionit kanë qenë të pakënaqur me procesin e privatizimit, andaj ka përputhshmëri të plotë më Lëvizjen vetëvendosje në këto pika”, ka thënë burimi.

Ndërkohë, Gazeta Blic nga burime tjera brenda takimit të fundit ndërmjet Isa Mustafës, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt që u mbajt të premten, ka mësuar se partnerët e koalicionit do të mblidhen edhe njëherë të hënën për të diskutuar për kushtet e vëna nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Mund të ndodhë që nesër t’i kthehet përgjigje përfundimtare Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë burimi i gazetës.

Në një prononcim që i kishte dhënë Gazetës Blic zëdhënësi i VV-së, Erzen Vraniqi ka thënë se ata i kanë tri kushte kryesore: ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, ndërprerja e privatizimit të Trepçës dhe PTK-së. Sipas tij, nëse plotësohen këto kushte, dhe nëse ka përputhshmëri edhe në programe, VV nuk e përjashton mundësinë edhe të hyrjes në bashkëqeverisje me këto parti.

Edhe lideri i VV-së, Albin Kurti në një intervistë dhënë për mediet ka thënë se do ta mbështesë qeverinë e re që sic po e quan ai emergjente. Ndërkohë ka shtuar se PDK e Hashim Thacit nuk i ka numrat që ta bëjë qeverinë.

Megjithatë, as partia e Hashim Thaçit nuk po rrinë duarkryq. Siç ka mësuar Gazeta Blic PDK e Hashim Thaçit është duke lobuar intensivisht që vendi të shkoj drejt një qeverie teknike, vetëm e vetëm që të mos ia lë qeverinë ta drejtoj koalicioni LDK- AAK- Nisma.

Gjykata Kushtetuese është ajo e cila pritet ta qartësoj situatën në lidhje me atë se kush ka të drejtë ta bëjë qeverinë, ajo parti apo ai koalicion që e ka shumicën në Kuvend apo ajo parti apo koalicion që ka dalë e para në zgjedhje.

Etiketa: , , ,
Të fundit