E shtunë, 12 Dhjetor 2020
Për fat mbramë e pashë nji film t’vjetër dokumentar dhe e pashë Rugovën time t’hershme, krejt bardh e zi, e me t’gjitha ngjyrat që i ka bota!
Për 11 minuta kishte mbrri me spjegua mitin e lojës rugovase me shpata, regjisori malazias. Nikolla Joviqeviq, me filmin “Kokë për kokë” t’vitit t’hershëm 1961, mishin mbramë ma bani kokërr. Po, për neve ishte. Për mua. Për Rugovën. Artistët autokton. Ramë Elezi, Ramë Nikçi, Kapllani, Lakja deri të Adem Salihi i katundit tim!
Skenografi autoktone. Shtëpitë me dërrasa n’Breg t’Kuçishtës! Delet n’vathë e dy qen bardhosh n’vargoj. Edhe viçi tue thithë lopën, edhe nusja tue përkund djepin e fisnikja tjetër tue ba krrabëza.
Rexho Mulliqi me muzikën e kangën e Krushqve për
Nexhmien, për Rexhën e vdekun n’grazhdin e kalit që t’bante me vdek dy herë!
Film për vallën e vjetër sa bjeshkët e rugovasëve me kobure e shpata.
Për luftën e dy burrave për nji çikë, me ba nuse!
Njeni do t’vdes e tjetri n’kalë shale do t’shkoi me nusën të shtëpia me ba dasmën!
Valle e vjetër.
E gurit apo pagane, s’mund t’them. Jam artist, nuk di!
Por krejtësisht e malësorëve t’mi rugovas. Atyne t’besës, t’fjalës, t’sofrës me bukë e zemër e t’pushkës për trojet e arbnisë!
Krejt kjo në nji film t’shkurt. Dokumentar për rugovasët me dy duer,(për xhamadanat e bardhë) me viat e zeza trupit deri të zogu i kamës si drangojt (për spikun e zi n’tirq, n’xhamadana)!Për borën e bardhë mbi koka (për shallat,qefinin mbi krye).
Tash e 80 vjet përpara malazezët bajnë film për ket lojë pagane dhe mirë që s’e futën me ruejtë si te tynën n’UNESKO si sërbët lahutën!
Kur ditëm me shkrua e me ba, s’lanë zaptuesit. Tash që mundemi, s’dimë! Mendet na fluturojnë cullakinave!
E shikoj dy herë. Vazhdoj të tretën. Pak asht. T’katërtën, t’pestën e mbetëm i uritun.
N’Beograd krenohesha me Bekimin. N’Zagreb e Lublanë. E kur me pysnin nga je? Përgjigjesha: Rugovac!
Aha, m’thojshin. E dimë. Rugovska Klisura ! Besa-besa! Igra sa jataganima!
Njihej Rugova ma shumë se Kosova!
Unë rritësha. Bahesha pishë me Bekimin e Rugovën mes Beogradit!
Rugova ime n’filmin e huej! Njerëzit e mi. Katundet e mia. Edhe zakonet edhe veshjet, edhe dasmat edhe vdekjet.
Të gjitha t’mirat e mia n’filmin e malazezve “Kokë për Kokë”! Veç unë jo i vetës as i kohës së bardhë! N’Kosovën e lirë po,
por laraman me ngjyrat e pushteteve, t’pushtetarve, t’milionerve, t’xhipave, t’autostradave, t’kontratave, diplomave t’bleme, rrencave e hajnave t’atdheut!
S’di a jam plakë shumë apo shumë m’asht zbutë zemra, por lot e kangë bahem çdo ditë për Haxhajt, Stankajt, Bogët, Shkrelin e Koshutanin e tëposhtë deri n’Qafën e Qyqës të Shtupeqi i vogël. Kurrë ma ata burra. Kurrë ma ato shtëpia me dërrasa. Kurrë ma ato deka e dasma!
Rugovën e dua ashtu, siç ishte, me robni e bagëti, me besën e fjalën e bardhë si t’plist borë n’krye.
Eh, tash kur mundemi të tjerëve me iu tregua përmes filmit se çfar fare e bardhë ishim, na dhimbsën paret. Jo s’na dhimbsen, por i duem për vete.
Sa e dhimbshme kur të tjerët na tregojnë si ishim e kush ishim, i rrembyem emocionësh shkrova!
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
Etiketa: Çun Lajçi