E hënë, 25 Qershor 2018
Kolumbia e ka regjistruar fitoren e parë në Kampionatin e sivjetmë Botëror duke fituar me rezultat 3-0 kundër Polonisë në Kazan Arena.
Gjysma e parë nuk prodhoi shumë raste shënimi, mirëpo rezultati u zhbllokua në minutën e 40-të të takimit.
James Rodriguez shfaqi aftësitë e tij teknike duke bërë një harkim të bukur në zonë, të cilin e priti Yerry Mina për të shënuar me kokë.
Në pjesën e dytë, mundësi për të rrezikuar patën Rodriguez nga njëra anë dhe Robert Lewandowski në anën tjetër, por asnjëri nuk ishte efektiv.
Kolumbia e dyfishoi epërsinë në minutën e 70-të. Juan Quintero asistoi te Radamel Falcao, i cili doli i vetëm para portierit kundërshtar dhe e mposhti.
Vetëm pesë minuta më pas, James dhuroi një tjetër asistim të bukur, këtë herë drejt Juan Cuadrados, i cili shënoi golin e tretë të përfaqësueses së tij (75′).
Etiketa: Botërori 2018, Kolumbia, Kupa e Botës, Polonia, Russia 2018