E hënë, 10 Tetor 2016

Haris ADEMI
Java që lamë pas ishte përplotë me emocione sportive. Kur bëhet fjalë për sport, sidomos në ato ku përfaqësohemi edhe ne si shqipëtarë, asnjëherë nuk mungojnë komentet, lavdërimet, kritikat e llojet e ndryshme të opinioneve nga të gjitha kategoritë e shoqërisë. Natyrisht, nuk mungon as debati mbi qështjen e dy përfaqësueseve, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Dikush e sheh si përparësi, dikush e sheh si ndarje, dikush si tradhëti ndaj idesë për bashkim kombëtar, e ka disa që e konsiderojnë si politikë perëndimore për të parandaluar tëndencën për një bashkim të shqipëtarëve. Sidoqoftë, ne kemi dy ekipe që po japin maksimumin për përfaqësim sa më të denjë të vendit të tyre.
Tema që ne duhet të debatojmë dhe të reagojmë nuk është ajo mbi ndarjen e futbollit shqipëtar në dy përfaqësuese. Neve duhet të na preokupojë më shumë cilësia e kushteve në të cilat zhvillohet ky sport tek ne. Sporti dhe futbolli si specifikë në Shqipëri dhe në Kosovë shënon kushtet më minimale për të qenë në garë me vendet tjera. Edhe pse në Shqipëri në kohët e fundit po duket një përparim i dukshëm, por jo i kënaqshëm, në Kosovë nuk ka kurrëfarë përmirësimi derimë tani. Dështuam me Ferronikelin e Prishtinën të jemi pjesë e garave evropiane për shkak të stadiumeve katastrofale, dhe tani në kualifikimet për Botërorin Rusia 2018 ekipi kosovar obligohet të luajë jasht territorit për shkak të mungesës së infrastrukturës sportive. Në këtë gjendje nuk kemi si të korrim suksese (Majlinda Kelmendi është “një në një milion”që doli e artë edhe pse ushtron në kushtet më të vështira për një kampione). Kjo, besoj, duhet të jetë më alarmante sesa kritikat mbi dikotominë shqipëtare. Kurse ne merremi me gjëra që tanimë janë zyrtare dhe nuk ka kthim mbrapa.
Ne kemi dy ekipe që po japin maksimumin për përfaqësim të denjë të vendit të tyre. Kjo e vërtetë është ireverzibile. Kombëtare në katror! Dhe këtu s’ka asgjë të keqe! Shqipëria në njërën anë, si shteti mëmë i gjithë shqipëtarëve, me ekipin e saj që po mahnitë të gjithë me profesionalizmin që po tregon, dhe Kosova në anën tjetër, e cila edhe pse shumë e re dhe pa përvojë në arenën sportive botërore, po jep mesazh se dikur do të jetë një kundërshtare e fuqishme për të gjitha ekipet. Dashuria jonë duhet të jetë e dyanshme dhe nuk duhet të favorizojmë njërën duke e përulur rëndësinë e tjetrës, pavarësisht rezultateve. Më e rëndësishmja është që këtyre “ambasadorëve” t’u ofrohet komoditeti dhe kushtet e përshtatshme për ta ushtruar aktivitetin e tyre.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.