Kombëtarja shqiptare me stadium të ri


E mërkurë, 28 Tetor 2015

Tiranë – Duke nisur prej janarit 2016, do të nisë shembja e stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’, aty ku do të ndërtohet edhe stadiumi i ri.

Pas kualifikimit historik të Shqipërisë në Europianin 2016, si shpërblim kryeministri Edi Rama premtoi edhe ndërtimin e Arenës Kombëtare në Tiranë.

Impianti në kryeqytet bëhet i domosdoshëm edhe prej vonesave në rikonstruktimin e stadiumit Loro Boriçi. Ngërçi i krijuar nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, që votoi me unanimitet kundër marrëveshjes me FSHF-në vendos në rrezik ndërtimin e impiantit modern.

Për këtë arsye, pritet që së afërmi të nisin punimet për stadiumin e tretë modern në vend, i cili do të jetë alternativë e Elbasan Arenas. Pas tre muajve, pra duke nisur prej janarit 2016, do të nisë shembja e impiantit të vjetër Qemal Stafa, aty ku do të ndërtohet edhe stadiumi i ri.
I gjithë procesi parashikohet të zgjasë rreth gjashtë muaj, periudhë gjatë se cilës Kombëtarja do të jetë në Francë, e angazhuar në finalet e Kampionatit Europian. Projekti mbetet i njëjti me atë që Federata e Futbollit ka paraqitur disa muaj më parë, raporton Super Sport.

I dizenuar nga italianët, impianti parashikohet të ketë 22 mijë vende dhe të jetë i gjithi i mbuluar. Sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 43 mijë metra katrorë. 8 mijë metra do të shfrytëzohen si njësi komerciale, ndërsa 4 mijë metra do të jenë në dispozicion të federatës për ambiente dhe zyra.

Projekti i stadiumit karakterizohet nga një kullë e lartë, e cila do të shërbejë si restorant ekskluziv. FSHF vazhdon negociatat për kushtet e koncesionit, ndërsa ndërtimi i impiantit modern pritet të përfundojë në vitin 2018.

Etiketa: ,
Të fundit