Kompania turke merr me koncesion “Rrugën e Kombit”


E premte, 22 Korrik 2016

autostrada

Tiranë – Kompania turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” është shpallur fituese në koncesionin për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”.

Ministria e Transportit përmes një deklarate për media bëri sot publike ofertën e e shpallur fituese nga komisioni i vlerësimit në bashkëpunim edhe me konsulentin ndërkombëtar “IFC”.

Investimi fillestar i propozuar kap shumën 50,622,174 Euro, ndërsa investimi në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës arrin në shumën 320,604,079 Euro. Për të marrë me koncesion ndërtimin, operimin mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot-Morinë, në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik u paraqiten tre oferta:

1-Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Catalyst Viva Das General Constructing LLC”, “Salillari” LTD, “Violap Ateve”, “Bee Tech” dhe “Kastrati” SHA.

2-Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, “PT Citra Marga Nusaphala Persada TDK” “Mehmet Ai Unal Insaat Taahhlil Madencilik San. Ve Tic. A.S” “Savronik Sistem Tah.San.Tic A.S”, “Vendeka Europian Investment B.V”.

3- Luman Biba.

Në përfundim, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi të shpallë si ofertë të preferuar atë të paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet ankim ne Komisionin e Prokurimit Publik.

Autostrada e gjatë 134 km, me katër korsi, që lidh Tiranën me Prishtinën, u ka kushtuar plot dy miliardë Euro “portofolëve” të Shqipërisë dhe Kosovës.Për autostradën strategjike janë hapur disa tendera për dhënien me koncension të mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit, tendera të cilët kanë dështuar. Lidhur me “Rrugën e Kombit” janë hapur tri hetime për korrupsion, abuzim të detyrës dhe keqbërje lidhur sa i takon kontratës.

Për koncesionarin e ardhshëm është vënë si objektiv, që të ndërtojë, përmirësojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të standardeve të paracaktuara. Parashikohej që pas ndërtimit të autostradës, tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës të merrte një hov të madh, megjithatë rritja ka qenë modeste./shekulli/

Të fundit