E martë, 30 Gusht 2016
Komuna e Rahovecit po del të jetë komuna më transparente në mesin e gjashtë komunave të tjera në rajonin e Prizrenit.
Këto të dhëna u bën të ditura nga KDI pas publikimit të analizës “Transparometrit Komunal” të realizuar në Prizren, Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash dhe Mamushë për periudhën janar-qershor të këtij viti.
Naim Cahani zyrtar i KDI-s gjatë konferencës prezantoi metodologjinë ka tha se “matja e transparencës së komunave është realizuar përmes një indeksi i cili përbëhet nga 44 indikatorë matës të transparencës komunale dhe është i bazuar në katër shtyllat e vlerësimit: transparenca në zyrën e Kryetari/es, Kuvendin e Komunës, financat komunale si dhe transparencën në konsultim me publikun.
Në bazë të të gjeturave të kësaj analize Komuna e Rahovecit ka qenë komuna më transparente se të tjerat me 70.7 %, pas saj renditen Komuna e Malishevës (61.9 % transparente), ajo e Prizrenit (59.6 % transparente), e Suharekës (56.2 % transparente), Dragashi (54.0 % transparente) si dhe Komuna e Mamushës me (23.1% transparente).
Sipas kësaj analize, Komuna e Rahovecit në raport me komunat tjera tregoi performancë të mirë në raport me transparencën e punës së Kuvendit të Komunës me 28.7 pikë, transmeton Klan Kosova.