E martë, 12 Janar 2016
Prizren – Katër komunat e mëdha të Kosovës, Prishtina, Prizreni, Peja dhe Gjilani, përfshirë këtu dhe nivelin qendror të qeverisjes sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) me veprimet që kanë ndërmarrë nuk kanë qenë efikase dhe efektive për përmirësimin e kushteve të jetesës së Personave me Nevoja të Veçanta përkatësisht Personave me Aftësi të Kufizuara Fizike (PAFK).
Në raportin e performancës “Qasja për Personat me Aftësi të Kufizuara Fizike” të ZAP-it, ku auditimi mbulon periudhën 2013-2015, është konstatuar se përkundër përpjekjeve për përmirësimin e qasjes në infrastrukturë fizike dhe hapësira për PAFK, megjithatë rezultatet e deritanishme janë të kufizuara.
Auditori ka vlerësuar se masat e ndërmarra në mënyrë të rastësishme dhe në mungesë të prioritizimit, nuk i kanë zgjidhur problemet, pastaj se objektivat e parapara në Strategjinë për PAK-të dhe Planin e Veprimit janë përmbushur në masë të ulët, dhe se indikatorët tregojnë se situata në këtë aspekt mund të jetë e ngjashme edhe në komunat tjera.
Ngecjet e hasura sipas ZAP-it, sa i përket nivelit lokal, kanë të bëjnë me faktin se shumica e komunave nuk kanë arritur që të themelojnë grupe punuese për identifikimin e nevojave dhe vlerësimin e situatës si bazë për pritoritizim; se komunat nuk kanë inkoorporuar qasjen e Personave me Aftësi të Kufizuar në planifikimin strategjik; se ato nuk kanë siguruar mjaftueshëm forma të brendshme apo të jashtme të financimit, derisa gjatë licencimit të ndërtimeve të reja (lejet e ndërtimit dhe certifikatat e banimit), nuk janë marrë parasysh kërkesat që dalin nga kornizat ligjore. Gjithashtu Auditori ka gjetur se edhe organizatat në nivelin qendror nuk kanë funksionuar siç është synuar.
Qasshmëria sipas ZAP-it është një nga fushat më problematike që duhet të përmirësohen, në mënyrë që të krijohet qasje më e mirë për personat me aftësi të kufizuar në të gjitha aktivitetet e shoqërisë (arsim, shëndetësi, punë). Aktualisht këto janë pengesa të mëdha, që pengojnë PAK-ët që të gëzojnë mundësitë e barabarta, të cilat qytetarët tjerë i gëzojnë. Pengesat e tilla sipas Auditorit janë barrierat strukturore në ambientet e ndërtuara, mungesa e planifikimit urban, planifikimi joadekuat i ambienteve të brendshme, etj. Po ashtu Komunat kanë dështuar edhe në krijimin e sistemeve informative mbi lëvizshmërinë në qytet dhe mbi qasjen nëpër objekte, si element i rëndësishëm i cili kontribuon në përmirësimin e jetës së PAKF.
Në këtë raport, komuna e Gjilanit është veçuar në një pikë, për shkak se ka arritur të themelojë Grupin Punues për të identifikuar dhe për të bërë vlerësimin e nevojave për PAK, derisa për tri komunat tjera theksohet se kanë punuar pjesërisht drejt krijimit të një ambienti të qasshëm për PAKF, ku aktivitetet e tyre janë realizuar në baza ad-hoc, pa ndonjë vlerësim më afatgjatë strategjik dhe nuk është kryer vlerësimi i nevojave për PAK.
ZAP përmend se edhe Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2015, ka theksuar se PAK vazhdojnë të ballafaqohen me mbështetje joadekuate Institucionale dhe shëndetësore, dhe qasje të dobët.
Ne përkujtojmë se qytetarët me aftësi të kufizuar ballafaqohen me lloje të ndryshme të barrierave, të cilat i pengojnë ata në pjesëmarrjen e plotë e efektive në shoqëri, në mënyrë të njëjtë me të tjerët, duke i penguar kështu për të bërë një jetë të pavarur, të dinjitetshme dhe të vetëkënaqshme, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga OJQ Ec Ma Ndryshe.