Konferenca e Komisionëve për Politikë të Jashtmë të Ballkanit Perendimor në Tiranë


E premte, 13 Mars 2015

TIRANË – Sot në Tiranë janë zhvilluar punimet e Konferencës së Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Politikën e Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor (SEECP). Konferenca, që u zvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, mbahet në kuadër të Presidencës shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), raporton Anadolu Agency (AA).

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta i cili në fjalën e tij përshëndetëse tha se forcimi i perspektivës europiane për secilin vend të rajonit është kyç për thellimin e bashkëpunimit mes tyre. Meta e vlerësoi takimin si një përpjekje për ta kthyer SEECP-në në një platformë bashkëpunimi të të gjitha vendeve të rajonit, në mbështetje të axhendës së përbashkët të integrimit në BE.

Kryetari i Kuvendit deklaroi se zhvillimet e fundit në hapësirën europiane, situata në Lindjen e Mesme, sfidat e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe kriza globale na detyrojnë ta shohim të ardhmen tonë me një shikim më të mprehtë. “Pavarësisht lodhjes së disa vendeve europiane nga zgjerimi i Bashkimit Evropian, të cilin ne këtu vazhdojmë ta shohim si projektin politik dhe gjeostrategjik më të suksesshëm për garantimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, ne sot kemi dhe më tepër arsye për të shumëfishuar përpjekjet tona edhe për të rritur ndjeshëm dhe në mënyrë konkrete bashkëpunimin tonë rajonal. Koha e politika të vjetruara dhe nacionalizmave destruktive ka kaluar tashmë në Ballkan. Sot është ora e përqasjes pragmatike duke shembur barrierat administrative, e duke hapur rrugët e zhvillimit ekonomik”, shtoi Kryetari i Kuvendit. Kjo, sipas tij do të sjellë më shumë mundësi punësimi për qytetarët dhe më tepër stabilitet për gjithë rajonin.

Ndërsa Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati tha se kryesia shqiptare SEECP i ka përqendruar përpjekjet e saj në konkretizimin e mesazheve të Konferencës së Berlinit mbi Ballkanin Perëndimor, si një arritje që ka pasoja pozitive për gjithë Evropën Juglindore. “Jam i bindur që nëpërmjet kontributit tuaj, ky takim do të vërë në jetë, edhe në këtë instancë parlamentare të SEECP-së, parimin e gjithëpërfshirjes, duke pranuar pjesëmarrjen e Parlamentarëve të Kosovës. Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, e konsideron si detyrë rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e besueshmërisë së proceseve euro-atlantike” tha Bushati.

Ndërkohë, Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Arta Dade, e cila është njëherësh edhe moderatore e Konferencës, tha se promovimi i bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor është padyshim thelbësor për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, me qëllim rritjen e stabilitetit politik, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik të një rajoni që është hapësira e një mozaiku popujsh që më shumë i kanë kushtuar rëndësinë diferencave mes tyre se sa ngjashmërive.

Etiketa: ,
Të fundit