Konferencë shkencore mbi islamin ballkanik


E mërkurë, 21 Maj 2014

Muslimanët ballkanikë përbëjnë rreth 70% të muslimanëve në Zvicër. Bashkëjetesa dhe integrimi i kësaj popullate vazhdon të jetë në qendër të aktualitetit zviceran dhe evropian. Shpesh temat lidhur me fenë mbeten ende tabu dhe i hapin rrugën stigmatizimeve të ndryshme mbi akumulimin e përkatësive të shumëfishta të këtyre diasporave.

Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë organizoi një konferencë shkencore mbi islamin ballkanik.

Kjo konferencë hodhi dritë mbi kompleksitetin e realitetit të muslimanëve besimtarë dhe atyre jo praktikues në Zvicrën e ditëve të sotme, përmes intervenimeve kompletuese të ekspertëve dhe aktorëve të terrenit.

Konferencën e hapi drejtoresha e Universitetit popullor shqiptar në Genevë, Albana Krasniqi – Malaj, e cila përmblodhi shkurtimisht misionet e institucionit si vend pritje dhe formimi, integrimi dhe socializimi për më shumë se 40 nacionalitete të ndryshme.

Ajo potencoi se ky integrim nuk mbështetet vetëm tek toleranca dhe pranimi i tjetrit, por sidomos tek komunikimi i ndërsjelltë për të siguruar një kohezion social të qëndrueshëm.

Konferenca ishte konceptuar në tri pjesë. Ajo u drejtua nga Gëzim Ilazi, i ri i gjeneratës së dytë, student dhe anëtar i parlamentit të rinjve.

Në fjalën e tyre, përfaqësuesit institucionalë vunë theksin mbi rëndësinë që ka një organizim i tillë dhe përshëndetën guximin dhe largpamësinë e UPSH-së për organizimin e kësaj konference si një akt qytetar.

Manuel Tornare, kryetar i UPSH dhe parlamentar federal, përmendi historinë e mirënjohur të shqiptarëve që në optikën e bashkëjetesës dhe pranimit të tjetrit kanë mbrojtur çifutë gjatë luftës së dytë botërore.

Kryetarja e Gjenevës, Zonja Salerno, tha se në Gjenevë ne jetojmë mirë me njëri tjetrin dhe se na duhen çelësat e mirëkuptimit për të ndërtuar një kohezion social, sa më të pranueshëm për të gjithë.

Anna Neubauer, përmes një zhdërvjelltësie retorike vuri në pah se natyra njerëzore ka si tendencë të shoh dualitet dhe dallim, aty ku nuk ka veçse unitet.

Sipas saj, ky është një potencial shkatërrimtar që asimilon një vizion të qartë, duke vënë më shumë theksin tek dallimet se sa tek ngjashmëritë.

Ajo më pas solli pozicionet e Konfederatës lidhur me çështjen në fjalë.

Zonja Bruschëig Graf, inkurajoi dhe vlerësoi punën e UPSH- së, si urë lidhëse midis kulturave dhe që sjell në tryezën debative tema të ndjeshme të aktualitetit që ndihmojnë në krijimin e lidhjeve reciproke e të mirëkuptimit.
Pjesa e dytë iu kushtua konferencave shkencore të mbajtura nga doktoruesja Barbara Dellëo, si dhe dr.Mallory Schneuëly Purdie ( e cila ishte edhe konsulente e realizimit të filmit “Vështrime mbi islamin ballkanik”).

Ato bënë një prezantim shkencor duke paraqitur fakte, shifra dhe analiza me qasje sociologjike, që ndihmojnë në zbardhjen e realiteteve të jetuara nga diasporat ballkanike me përkatësi muslimane, në Zvicër.

Një vend të veçantë në referatet e tyre zuri imazhi i muslimanëve, shpesh diskriminues.

Përmes rezultateve të studimeve shkencore, ato bënë një përçapje të ç’sendërtimit të këtyre ideve paragjykuese.

Gjatë bisedës u trajtuan gjithashtu edhe çështjet si bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ndërfetar, problematikat që lidhen me praktikat fetare, rreziqet që mund të paraqesin interpretimet dhe rrymat e reja globale etj.

Kjo konferencë shërbeu si një fillim diskutimi mbi këtë temë kaq të ndjeshme dhe deri diku tabu . Ajo tërhoqi vëmendjen e shumë të pranishmëve gjatë pjesëve të ndryshme të ditës dhe hapi perspektiva dialogu dhe komunikimi midis komponentëve të ndryshëm të shoqërisë zvicerane. /albinfo/

Të fundit