Konjufca: Do të rishikohet marrëveshja e 19 prillit


E mërkurë, 10 Shtator 2014

Prishtinë – Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se në marrëveshjen me Bllokun LDK-AAK-Nisma, me udhëheqjen nga VV të dialogut me Serbinë, do të ndryshojë qasja ndaj Kosovës.

Ai kritikoi edhe një herë dialogun e zhvilluar deri më tani duke thënë se “Kosova nisi bisedimet pa fusnotë e doli me fusnotë” dhe se arriti një marrëveshje “garantues së cilës është Ivica Dacic”.

Sipas tij, qëllimi i Vetëvendosjes është që ta ndërrojë krejtësisht kursin dialogut, që mos ketë dialog pa kushte.

Në emisionin Interaktiv të KTV-së, Konjufca tha se nuk do të bëjnë “lëshimet që i ka bërë Hashim Thaçi”.

“Kemi arritur një ujdi të përshtatshme, që vendimet të merren me pajtueshmërinë e secilës palë, jo me konsensusin e shumicës. Duam të sigurohemi që në çështjet që mbrojnë interesin e Kosovës, të mos mbivotohemi nga të tjerët. Ka pajtim që të vlerësohet kushtueshmëria e Marrëveshjes së 19 prillit”, ka thënë ai. “Dyshojmë që është në kundërshtim me Kushtetutën. Është në interes të Kosovës të rishikohet ajo marrëveshje”.
Sipas tij, strategjia e Vetëvendosjes për dialog me Serbinë është e kundërt me atë të bërë nga Hashim Thaçi.

“Te interesi kombëtar nuk ka kompromise. Dialogu është për kompromis, por jo me sovranitetin e integritetin territorial. A do Serbia territor a çka? Nëse Serbia dëshiron të mbrojë të drejtat e serbëve, atëherë do të bëjmë dialog me këta njerëz që jetojnë këtu”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Të fundit