Konstandin Xhuvani: S’mbaj mend asgjë


E mërkurë, 5 Nëntor 2014

Njëri prej tre të ndaluarve si autorë të masakrës së ndodhur mëngjesin e 4 nëntorit 2014 në Tiranë, ku mbetën të vrarë 4 persona është lënë i lirë.

Burime nga policia të cilave u referohet Ora News bëjnë të ditur se është lënë i lirë Albano Ballcaj pasi nuk janë gjetur elementë që ai të jetë përfshirë në konflikt.

Sipas këtyre burimeve Albano është djali i tezes së Arbër Demirajt, djali i ish-prokurorit Skënder Demiraj, njërit prej viktimave të mbetur të vrarë dje në lokalin bar “Ante Grand” tek rruga e Elbasanit, përballë Gjuhëve të Huaja.

Të arrestuar mbetet Konstandin Xhuvani, 25 vjeç, djali i Luiza Xhuvanit e cila dje la mandatin e deputetes socialiste, si dhe Erald Sida 24 vjeç.

Xhuvani në qeli: Nuk mbaj mend

Ndërkaq vazhdon marrja në pyetje e të dyshuarit kryesor Konstandin Xhuvani dhe mikut të tij Erald Sida që i qëndojnë versionit se nuk mbajnë mend asgjë dhe nuk pranojnë autorësinë e krimit.

Viktimat e masakrës së djeshme janë Arbër Demiraj, 19 vjeç, Edison Jaho, 36 vjeç, Enea Xhaj, 38 vjeç, Giampaolo Azzolo, shtetas italian, 60 vjeç.

Ku u arrestuan tre autorët e dyshuar?

Zyrtarisht policia njoftoi dje se tre të dyshuarit si autorë të krimit ishin arrestuar pak minuta pas vrasjes e cila u raportua në polici në orën 04: 22 minuta.

“Në orën 04:29 autopatrulla Shqiponja Nr. 1, raporton se, autori i parë i dyshuar shtetasi Erald Sida është kapur në afërsi të vendi të ngjarjes ndërsa autori i dytë po lëviz në drejtim të godinës së Fakultetit Ekonomik.

Menjëherë u dha detyrë për rrethimin e godinës me synim kapjen e autorit. Gjithashtu në vendin e ngjarjes është kërkuar edhe ndihma e parëpasi ka disa të qëlluar me armë zjarri.

Në orën 04:31 autopatrulla Shqiponja Nr.3 në bashkëpunim me patrullën e Komisariatit Nr. 1 raportojnë se u kap edhe autori i dytë i dyshuar, shtetasi Albano Ballcaj, në afërsi të Fakultetit Ekonomik.

Ndërkohë që autori i tretë i dyshuar, Konstadin Xhuvani është kapur rreth 70 metra larg vendit të ngjarjes, teksa po tentonte të largohej me pistoletë në dorë. Në momentin e arrestimit ai bëri dhe rezistencë ndaj policisë.”

Etiketa: ,
Të fundit