Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kosova drejt deztabilizimit

Prizren Post | 08:35 - 14.10.2015

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Prishtinë – Lëvizja “Vetëvendosje” e ka vlerësuar si kidnapim me urdhër të Qeverisë arrestimin e deputetit, Albin Kurti, duke thënë se vendi po shkon drejt destabilizimit. Por, këto akuza të drejtuesve të kësaj partie opozitare janë hedhur poshtë nga Prokuroria e Shtetit dhe nga Policia e Kosovës.

Sipas këtyre të fundit, nuk ka pasur asnjë lloj ndikimi politik në arrestimin apo siç e quanin ata ndalimin e Kurtit, ndërsa kanë thënë se deri te arrestimi i tij ka ardhur pasi deputeti i “Vetëvendosjes” ka refuzuar të paraqitet në Polici për intervistim.

Gjatë një konference për media, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka bërë publike fletëthirrjen e lëshuar nga Prokuroria e Shtetit, të cilën ia kanë dërguar deputetit, Albin Kurti, dhe deputetes, Albulena Haxhiu, në adresat e tyre përkatëse, duke thënë se familjarët e tyre e kanë refuzuar këtë thirrje.

“Urdhri i prokurorit është në Nenin 6 të Ligjit për Policinë e Kosovës, ku thuhet se Policia e Kosovës është e obliguar që t’i zbatojë të gjitha urdhrat legjitime të Prokurorisë së Shtetit dhe të Gjykatës. Prandaj, unë vazhdoj të ritheksoj se Policia ka zbatuar urdhrat e Prokurorisë. Çdo urdhër që jepet nga Prokuroria e Shtetit për ne është urdhër”, ka deklaruar Maxhuni.
Kurse prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Besim Kelmendi, ka thënë se mbajtja në intervistim dhe lirimi i Kurtit është bërë vetëm në bazë të shkresave të lëndëve dhe nuk është ndikuar aspak nga asnjë presion i mundshëm.


Bëni një koment