E hënë, 30 Qershor 2014
Në përvjetorin e tretë të themelimit të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale u tha se mbrojtja e të dhënave personale është një temë e re për Kosovën, e cila edhe është një kriter për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe integrimin në BE. Në këtë përvjetor u tha se Zyra e BE-së është e kënaqur që ta mbështesë këtë agjenci me një projekt 2-vjeçar të quajtur `Mbështetje për institucionet e Kosovës në fushën e të dhënave personale`, e cila është në vlerë diku 1.5 milion euro.
Sipas raportit të progresit të vitit 2013, thuhet se Kosova ende duhet të punojë në përmirësimin e implementimit dhe harmonizimit të ligjeve për mbrojtjen e të dhënave personale, e privatësia e individëve vlerësohet të jetë një nga parimet fundamentale të të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Zyra e BE-së është e kënaqur që ta mbështesë këtë agjenci me një projekt 2-vjeçar të quajtur `Mbështetje për institucionet e Kosovës në fushën e të dhënave personale`, e cila është një vlerë diku 1.5 milion euro. Me këtë projekt ne e mbështesim Kosovën në mbrojtjen e të dhënave, me fokus të veçantë agjencinë, në mënyrë që të jetë e aftë të zbatojë legjislacion efektiv dhe të bashkëpunojë me institucionet e tjera relevante”, ka theksuar Yvonne Gogol, udhëheqëse e ekipit për sundimin e ligjit nga zyra e BE-së në Prishtinë.
Ndërsa Ruzhdi Jashari, mbikëqyrësi kryesor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave Personale, tha se tashmë makina e komunikimit masiv dhe teknologjia e internetit i kanë shembur kufijtë e komunikimit ndërmjet shteteve.
“Privatësia e individit është një nga parimet fundamentale të të drejtave dhe lirive të njeriut, pa respektimin e privatësisë së individit nuk mund të flitet për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, por me këtë ne përmbushim obligimet tona në fushën e drejtësisë, lirisë, sigurisë dhe lëvizjes së lirë të njeriut, vlera këto të demokracisë”, ka thënë Ruzhdi Jashari.
Pas nënshkrimit të bashkëpunimit për mbrojtjen e të dhënave personale me Radiotelevizionin e Kosovës dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, kjo agjenci nënshkroi memorandum bashkëpunimi edhe me Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë. Kjo agjenci më herët pati nënshkruar memorandume bashkëpunimi edhe me Bullgarinë, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Slloveninë dhe Shqipërinë./rtk/