E hënë, 22 Janar 2024
SHKUP – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapje të samitit të BE-së, kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Shkup, tha se ky është një takim i rëndësishëm.
Ai tha se në këtë takim gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e takojnë BE-në për planin e rritjes
“Brukseli dhe Washtingoni bashkë me Ballkanin Perëndimor në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë. Vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e BE-së duhet të jetë edhe financiare”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë.
“Kosova sot do të dorëzoj listën e reformave të diskutuara e në ditët në vijim do të dorëzojmë listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave në qendër kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, kurse të projekteve kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimin në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturore”, tha Kurti.
Kurti falënderoj BE-në, SHBA-të dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim.
“Dua të falënderoj BE-në, SHBA-të dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim të rëndësishëm, që do të mundësoj sa më shumë bashkëpunim rajonal por edhe ecje më të përshpejtuar drejt BE-së që është edhe qëllimi edhe fati ynë”, tha Kurti.
Etiketa: Albin Kurti, Kosova, shkup, Western Balkans