Kosova kritikohet nga HRW për të drejtat e njeriut


E mërkurë, 27 Janar 2016

Me qindra mijëra azilkërkues dhe emigrantë janë përballur me vështirësi themelore gjatë vitit 2015, derisa ndiqnin një rrugë transiti në Ballkanin Perëndimor, ka thënë sot “Human Rights Watch” në Raportin Botëror 2016.

Problemet përgjatë rrugës në Kroaci, Serbi, Slloveni e Maqedoni me të cilat janë përballur azilkërkuesit dhe emigrantët përfshinin procedurat e ngadalta të regjistrimit dhe kushtet joadekuate të pritjes të përkeqësuara nga mbyllja e kufijve. Qeveritë në Ballkanin Perëndimor duhet të përqendrohen në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshi edhe të azilkërkuesve, thotë “Human Rights Watch”.

“Qeveritë e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të bëjnë punë më të mirë për t’i përmbushur obligimet e tyre për të drejtat e njeriut”, ka thënë Lydia Gall, hulumtuese për Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën lindore në “Human Rights Watch”.

“Këtu përfshihet llogaridhënia efektive për krimet e luftës, luftimi i diskriminimit ndaj komuniteteve dhe sigurimin e qasjes në mbrojtjen dhe trajtimin njerëzor për azilkërkuesit dhe migrantët”.

Në raportin 659-faqesh, që shënon edhe edicionin e 26-të, HRW ka rishikuar praktikat e të drejtave të njeriut në më shumë se 90 vende.

Në paraqitjen e tij, drejtori ekzekutiv Kenneth Roth shkruan se përhapja e sulmeve terroriste përtej Lindjes së Mesme dhe rrjedha e madhe e refugjatëve që lindi nga represioni dhe konflikti, bëri që shumë qeveri të kufizojnë të drejtat në përpjekje të gabuar për të mbrojtur sigurinë e tyre.

“Human Rights Watch” ka dokumentuar brengat për të drejtat e njeriut në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe në Kosovë gjatë vitit 2015 në raportin e tij Botëror 2016. Brengat në Kroaci dhe ndikimi i krizës së refugjatëve evropianë përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor janë përfshirë në kapitullin e Bashkimit Evropian, raporton Koha.net.

Çështje tjera mbi të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor përfshijnë edhe ndjekjet e limituara penale në gjykatat vendore për krime lufte që kanë ndodhur gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, klima e pafavorshme për mediat, diskriminimi i vazhdueshëm kundër romëve dhe ngacmimi e frikësimi i personave apo grupeve LGBT.

“Ka pasur progres të pakët në llogaridhënien për krime lufte në gjykatat vendore në Bosnje e Hercegovinë, në Serbi e në Kosovë. Prokurorët për krime lufte në Bosnje dhe në Serbi nuk kanë mjete të mjaftueshme dhe kanë mungesë të kapaciteteve të nevojshme për t’u marrë me rastet. Ndonëse Parlamenti i Kosovës më në fund kaloi një ligj që themelon një gjykatë speciale që do të gjykojë krimet e rënda gjatë dhe pas luftës së vitit 1999, gjykata ende nuk është operative për shkak të vonesave të shkaktuara gjatë arritjes së marrëveshjes me shtetin nikoqir, Holandën”, thuhet në raportin e HRW-së.

Njëzet vjet pas marrëveshjes së Dejtonit për paqe në Bosnje, vendi mbetet i ndarë dhe i rrethuar me sklerozë politike. Nuk është shënuar aspak progres në zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nga viti 2009 dhe 2013, që kërkojnë nga Bosnja të ndryshojë kushtetutën e saj diskriminuese, e cila ua pamundëson pjesëtarëve të grupeve minoritare mundësinë për të garuar në poste të larta politike.

Diskriminimi kundër romëve në qasjen në shëndetësi dhe edukim vazhdon të jetë i pranishëm në Bosnje e Hercegovinë, Serbi e Kosovës, dhe romët vazhdojnë të jenë të prekur nga dëbimet e dhunshme dhe arbitrare.

“Progresi në zbatimin e strategjive në Kosovë për integrimin e romëve, ashkalive dhe grupeve minoritare egjiptiane dhe për t’i ndihmuar njerëzit e kthyer në mënyrë të detyruar nga Evropa Perëndimore, ka qenë i limituar. Grupet LGBT vazhdojnë të përballen me ngacmime dhe frikësime në Bosnje Hercegovinë, në Serbi dhe në Kosovë”, thekson raporti i HRW-së.

Etiketa: ,
Të fundit