E premte, 20 Shtator 2013 
Prishtinë, 20 shtator – Kosova qëndron shumë larg vendeve të rajonit sa i përket sigurimit të investimeve të huaja si dhe tërheqjes së tyre, kështu është thënë në një konferencë shtypi të Odës Ekonomike të Kosovës ku është prezantuar studimi mbi gjetjet e investitorëve të huaj në Kosovë, transmeton KTV.
I gjithë ky ngërç i investimeve, sipas njohësve të ekonomisë, duhet të zgjidhet shpejtë me që Kosova nuk e ka luksin të shkojë ngadalë. Sipas këtij hulumtimi Agjencia për promovimin e investimeve në Kosovë që do të duhej të zhvillonte politika rreth tërheqjes së investimeve, renditet në një pozitë shumë të ulët sa i përket bërjes së punës që i takon.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu ka thënë se ata që do të hartojnë ligjin, duhet të kenë parash segmentet dytësore prej të cilave mund të arrihet të bëhet një ligj i fuqishëm dhe mbrojtës për investimet e huaja. Sipas këtij hulumtimi pengesat kryesore që hasin investitorët e huaj në Kosovë, janë kamatat shumë të larta, TVSH-ja e lartë për lëndë të parë, stabiliteti ekonomik, politik dhe infrastrukturorë, si dhe procedura për marrjen e lejeve për ndërtim.