Kosova ndjehet e tradhtuar dhe e zhgënjyer nga BE


E hënë, 17 Dhjetor 2018

BRUKSEL – Në Bruksel ka përfunduar takimi në mes të delegacionit të Kosovës i kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj me delegacionin nga BE-ja të udhëhequr nga Federica Mogherini.

Pas këtij takimi, me dakordim të të dyja palëve është anuluar konferenca e përbashkët.

Kështu ka thënë për Telegrafin, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi. “Është anuluar konferenca e përbashkët me dakordim të të dyja palëve, shkaku i qëndrimeve të kundërta”, ka thënë Gashi.

Këto qëndrime kanë pasur të bëjnë rreth taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnja.

Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij para delegacionit të BE-së tha se ” Kosova është shoqëri dinamike, që ka rini edhe më dinamike. Ata nuk i gëzojnë liritë që për ju janë normale. Ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm, nuk mund të tregtojnë lirshëm, nuk mund të luajnë lirshëm dhe nuk mund të jenë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë në komunitetin e kombeve të lira. Përkundër këtij fakti fatkeq, ata thyejnë barriera, edhe pa pasur viza, duke arritur rezultate të nivelit botëror në sport, muzikë, arsim, inovacion. Dhe kjo shumë lehtë mund të ketë qenë arritje e Europës”

Haradinaj më tej ka kërkuar nga BE-ja që të t’i respektojnë arritjet e shtetit të Kosovës.

“Të nderuara shtete anëtare të BE-së, kjo është thirrja ime për ju: Duhet të përshpejtojmë dhe konkretizojmë proceset e integrimit. Caku përfundimtar i rrugëtimit është i qartë – por ende, nuk është i prekshëm për ne. Kemi nevojë për një sinjal të qartë nga ju se i respektoni arritjet tona dhe se kemi mbështetjen tuaj, në mënyrë aktive, veçanërisht në realizimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Etiketa: , ,
Të fundit