Kosova në heshtje – gjithçka gati për zgjedhjet


E shtunë, 10 Qershor 2017

Për herë të parë do të kenë mundësi që të votojnë edhe më shumë se 155 mijë votues të rinj.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se më shumë se 33 mijë persona që nuk jetojnë më, janë larguar nga listat e votuesve.

Në gjithë Kosovën, KQZ-ja do të hapë 889 qendra të votimit. Procesi i votimin në Kosovë do të monitorohet nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se numri më i madh i vëzhguesve është nga partitë politike.

“Numri i përgjithshëm është 29 mijë e 264 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, organizata ndërkombëtare dhe përfaqësi diplomatike, pastaj organizatat joqeveritare vendore, mediet si dhe institucionet ndërkombëtare. Pra, janë trupa të menaxhimit nga vende të ndryshme, me të cilët KQZ-ja ka bashkëpunim”, tha Elezi.

Zgjedhjet e 11 qershorit do të vëzhgohen edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, “Demokracia në Veprim”. Në këtë koalicioni bëjnë pjesë më shumë e 20 organizata nga komuna të ndryshme të Kosovës. Nga ky koalicion janë akredituar mbi 2.700 vëzhgues.

Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim shfaqi brengën e tij për faktin se nga numri i madhe i vëzhguesve mund të paraqiten probleme në qendrat e votimin dhe në vendvotime.

Ai tha se vetëm një koalicion i partive politike ka mbi 14 mijë vëzhgues, që siç thotë ai, ‘është numër i madh dhe mund të paraqiten probleme’.

“Duke parë edhe nga e kaluara, këta persona janë shfrytëzuar nga partitë politike për të bërë presion ndaj votuesve dhe në këtë mënyrë krijojnë tollovi dhe dëmtojnë procesin zgjedhor dhe nuk janë aty për të garantuar mbarëvajtjen e tij”, tha Krasniqi.

Edhe Polica e Kosovës ka përgatitur urdhrin operativ për procesin zgjedhor të 11 qershorit.

Baki Kelani nga PK-ja, tha për Radion Evropa e Lirë se sikurse në zgjedhjet e kaluara, edhe më 11 qershor pritet që të angazhohet një numër i madh i pjesëtarëve të policisë për ofrimin e sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Do të kemi mjaftueshëm policë të profileve të ndryshme, të njësiteve të ndryshme për të menaxhuar me gjithë procesin zgjedhor në aspektin e ofrimit të sigurisë nga ana e policisë”, u shpreh Kelani.

Ai theksoi se me urdhrin operativ të hartuar nga Drejtoria e Policisë në Prishtinë, do të veprohet në gjithë territorin e Kosovës.

“Urdhri operativ është i hartuar për gjithë territorin e Kosovës dhe normalisht që vlen edhe për pjesën e veriut të Mitrovicës dhe edhe atje do të ketë angazhim të zyrtarëve policorë për aq sa e kërkon nevoja, pra kudo ku shtrihet procesi zgjedhor”, shpjegoi Kelani.

Nga ana tjetër, koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, bëri të ditur se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, do të jetë shumë i ngushtë në ditën e zgjedhjeve në mënyrë që të mos ketë probleme me procesin zgjedhor.

Koordinatorja Pula, në deklarimin e saj për media, bëri të ditur se në ditën e zgjedhjeve në terren do të jenë rreth 100 prokurorë, së bashku me staf mbështetës, të cilët do të operojnë dhe kooperojnë në 38 Komuna të Republikës së Kosovës, bashkë me hetuesit e Policisë së Kosovës.

Organet përgjegjëse thuhet se kanë bërë mobilizime të shtuara për të sanksionuar çdo veprim joligjor në procesin e zgjedhjeve.

Parashihen edhe dënime mjaft të ashpra për ata që shkelin Ligjin dhe rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, kanë nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, u bëri thirrje, sidomos partive politike, që t’i respektojnë rregullat dhe Ligjin për zgjedhjet dhe në asnjë formë të mos përpiqen të manipulojnë me votat.

Etiketa: , , ,
Të fundit