E hënë, 10 Tetor 2022
PRISHTINE – Presidentja Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, me ç’rast ka falënderuar për shërbimin e tij të deritashëm në Kosovë, gjeneralmajor Ferenc Kajarin dhe i ka uruar mirëseardhje gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccias.
Në fjalën e saj para admiralit Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, strukturave drejtuese të KFOR-it dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, Osmani ka theksuar se gjeneralmajor Ristuccia po e fillon misionin në vendin më pro NATO-s në botë.
Sipas saj, Kosova është partner i besueshëm i Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën synon të bëhet anëtare.
Osmani ka falënderuar mijëra gra e burra nga KFOR-i, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për lirinë e lëvizjes, sigurinë dhe paqen prej 23 vjetësh.
Në fund, Osmani tha se falë kontributit të NATO-s, Kosova sot është një vend paqësor dhe prosperues. Ajo ka përsëritur qëndrimin se është interes shtetëror i Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s, në funksion të mbrojtjes së sigurisë kolektive, vlerave demokratike, paqes e stabilitetit në vend, rajon dhe në nivel botëror.
Etiketa: Aktuale, KFOR, Kosovë, Vjosa Osmani