E shtunë, 9 Prill 2016
Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka zyrtarizuar se kërkesa e Kosovës për pranim është pjesë kyç e agjendës së Kongresit të 40-të të rregullt të UEFA-s. Kongresi i shtëpisë evropiane të futbollit do të mbahet më 3 maj në Budapest.
“Aplikimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim në UEFA është në agjendë”, ka shkruar të premten në sajtin e UEFA-s, në artikullin për agjendën e Kongresit të radhës, shkruan Koha Ditore.
Kongresi është organi më i lartë i UEFA-s dhe mblidhet një herë në vit. Përbëhet nga përfaqësuesit e 54 vendeve anëtare të UEFA-s. Kosovës për pranim në UEFA i duhet shumica e thjeshtë e votave të anëtarëve prezent në Kongres. Nëse të gjithë janë prezent, atëherë kërkesa e Kosovës kalon nëse i merr 28 vota.
Në Agjendën e Kongresit janë katër pika, por ajo për pranimin e Kosovës vlerësohet më e rëndësishmja.
Etiketa: Kosova, UEFA