Kosova po shkon drejt sistemit gjysmë-presidencial?


E hënë, 27 Prill 2015

Prishtinë – Kosova, prej që e shpalli pavarësinë, kishte një sistem të pastër parlamentar. Por tash shteti ynë mund të “konvertohet” në një sistemin gjysmë-presidencial.

Edhe pse një reformë kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes se të parit të shteti u harrua, zgjedhja e Presidentit të vendit përmes votës së qytetarit, vazhdon të konsiderohet si mënyra më e mirë.

Megjithatë, me ndryshimet kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, mund të shtohen edhe kompetencat e të parit të shtetit.

Edhe pse shtimi i kompetencave të Presidentit mund të ndryshoj sistemin në vend, shoqëria civile shpreh mendime të ndryshme për këtë.

Gazetari Besnik Batusha, thotë se varësisht nga kompetencat që mund t’i shtohen Presidentit të ardhshëm, vendi mund të shkojë drejt një Republike me sistem, gjysmë-presidencial, ndryshe prej asaj që e kemi, Parlamentare.

Por, që të ndryshohet sistemin nga parlamentar në gjysmë-presidencial, ai thotë se duhet të debatohet gjerë e gjatë.

Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik, është për reformimin e sistemit zgjedhor për të parin e shtetit.
Por, ai është kundër shtimit të kompetencave për Presidentin.

Krejt ndryshe mendon Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL.

Sipas tij, është e arsyeshme, që një i zgjedhur nga populli të ketë kompetenca më shumë se presidentët e deritanishëm, të zgjedhur në Kuvend.

Por është neni 84 i Kushtetutës së Kosovës, që përcakton kompetencat e Presidentit, në gjithsej 30 pika. Edhe pse pika 12 e këtij neni, Presidentin e vendit e njeh si Komandat Suprem të Forcave të Armatosura të Kosovës, i pari i shtetit, ka kryesisht kompetenca ceremoniale.
Presidentes aktuale, Atifete Jahjaga, i kalon mandati në vitin 2016. /TV Rrokum/

Të fundit